Tomë Gashi, avokati i angazhuar nga familja e Astrit Dehari, është marrë në pyetje nga Prokuroria Themelore e Prizrenit para më shumë se një jave.
Lajmin e ka konfirmuar prokurori i rastit, Metush Biraj, i cili ka thënë se Gashi ka kohë që është marrë në pyetje nga prokuroria lidhur me deklaratat e tij për rastin “Dehari” në cilësinë e dëshmitarit.
“Avokatin e kemi dëgjuar. Avokati Tomë Gashi ka më shumë se një javë që është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit. Nga ajo që ne e kemi dëgjuar nuk kemi diçka që vlen të cekët”, ka thënë Biraj për Express duke shtuar se rasti është duke u hetuar.
Ndërkohë që zyrtarë të prokurorisë së shtetit javë më parë patën deklaruar se në pyetje lidhur me rastin ‘Dehari’ do të merren edhe dy mjekët ligjor të angazhuar nga familja “Dehari”, për ekspertizën e Astrit Deharit.
Por të njëjtit ende nuk kanë arritur që të intervistohen nga prokurorët vendorë. Kjo me arsyen se ata nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, andaj për intervistimin e tyre kërkohet procedurë.
Prokurori Metush Biraj thotë se nuk e di datën se kur do të mund të merren në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve dy mjekët e pavarur ligjor të angazhuar nga familja Dehari.
“…Mjekët akoma nuk kemi arritur që t’i dëgjojmë. Për marrjen në pyetje të dy mjekëve të pavarur duhet kohë, sepse është një procedurë më e zgjatur pasi që njëri gjendet në Angli e tjetri në Shqipëri, ende nuk e dim se kur do të intervistohen”, ka bërë të ditur Biraj.
Ai shtoi se për intervistimin e këtyre dy dëshmitarëve do të përdoren edhe kanalet diplomatike.
“Jemi duke e pritur njëfarë modusi se si ata t’i dëgjojmë përmes kanaleve diplomatike të Kosovës. Kjo çështje do të zgjasë bukur shumë. Ata do të dëgjohen si dëshmitarë”, ka thënë tutje Biraj.
Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq në dhomën e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të këtij viti.
Ai ishte njëri nga të dyshuarit për sulm me granatë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në fillim të gushtit të këtij viti./GazetaExpress/