Telegrafi

Avokati Tomë Gashi: Më kanë kontaktuar ata që mund të jenë subjekt hetimi nga Specialja (Video)

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se Kosova sa i përket Gjykatës Speciale ka bërë lëshime të jashtëzakonshme, duke thënë se deputetët me një ngritje dore kane bërë racizëm me veprimet e tyre.

Ai ka theksuar se “aq më shumë është ironike se ish-komandantët e luftës, që tash janë në politikë, kanë thënë se me themelimin e kësaj gjykate ka me u pastruar lufta e UÇK-së, por nëse shkon dikush prej tyre ne qelitë e Hagës atëherë kjo e njollos më shumë luftën e saj”.

Avokati Gashi, në emisionin “Rrokum Roll” ka thënë se kush të akuzohet prej më të voglit deri te më i madhi, sikur është presidenti, ka me u trajtuar barabartë në dhomat speciale në Hagë, por jo me ligjet e Kosovës, të cilat janë vetëm sa për sy e faqe, të shkruara në një letër që s’ka vlerë.

Sipas tij, edhe emërtimi i krejt prokurorëve dhe stafit bëhet prej BE-së dhe kjo nuk ka lidhje me Kosovën edhe pse kjo është bërë për qytetaret e Kosovës.

Tomë Gashi, ka thënë se ai punon me avokatë të njohur dhe sipas tij, kush ka nevojë për mbrojtje ata janë në gjendje me i dhënë atyre pa dhënë detaje shumë se nga kush është kontaktuar deri tash. Por, ka pranuar se tashmë është kontaktuar nga palë të ndryshme të cilët dyshojnë se munden me qenë subjekt i hetimit prej Gjykatës Speciale.