I dyshuari për vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi, sot në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, Dibran Hoxha është mbrojtur në heshtje.
Avokati Nexhat Elshani ka konfirmuar se Dibran Hoxha e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.
“Ai nuk është deklaruar fare. Është mbrojtur në heshtje. Nuk ka pranuar të japë deklaratë”, ka pohuar avokati Elshani, për Kallxo.com.
Elshani ka shtuar se janë ndërmarrë veprimet e natyrës teknike, ndërkaq nesër pritet të mbahet seanca për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.
Sot në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një vrasje e rëndë në Prizren, ku pas një konflikti në një lokal nate, mbeti i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi.
Sipas Prokurorisë së Prizrenit, Dibran Hoxha po dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, ku njëri nga ta mbeti i vdekur, e një tjetër i plagosur.