Site icon Telegrafi

Avokati i Thaçit: Prokuroria ka fshehur materialet shfajësuese, përmendet deklarata e ish-ambasadorit të OSBE-së, Daan Reverts

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca e dhjetë mbi ecurinë e çështjes Thaçi dhe të tjerët, gjatë së cilës mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokati Gregory W.Kehoe ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk i ka treguar gjykatës dhe mbrojtjes dokumente që mund të ishin shfajësuese.

Ai ka përmendur një deklaratë të ish-shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë Daan Everts, i cili citohet t’i ketë thënë ZPS se nuk sheh ndonjë arsye që Thaçi do të donte që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të kryente krime.

Avokati i ish-presidentit Thaçi ka drejtuar kritika në drejtim të prokurorisë meqë sipas tij e njëjta nuk po përdorë materialet shfajësuese.

“A ju kanë informuar ndonjëherë Zyra e Prokurorisë gjatë seancës së konfirmimit, gjatë seancës apo parashtrimeve lidhur me mocionin e mbrojtjes për lirimin paragjyqësor, a ju kanë informuar ndonjëherë i nderuar gjykatës se diplomatët e lartë të OSBE-së e kanë këshilluar Prokurorinë, para katër vitesh, katër vite më parë, se veprimtaritë kriminale që akuzohen në këtë çështje pas qershorit të ’99-ës janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale dhe jo pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare. Individi, i cili ka dhënë një informacion të tillë ka qenë ambasador Daan Everts”, ka thënë avokati Kehoe.

Ai tutje ka cituar deklaratën e ish-ambasadorit të OSBE-së, e të cilën ka thënë se e kanë siguruar disa ditë më parë pas një trysnie që Everts i ka bërë ZPS lidhur me marrjen e këtij dokumenti.

Dan Everts ka shërbyer në Kosovë në vitet 1999-2001.

“’Unë nuk shikoj ndonjë arsye a motiv pse Thaçi do të donte që UÇK-ja të kryente dhunë etnike sepse kjo do të dëmtonte reputacionin e tij ndërkombëtar, për mendimin tim nuk kishte lidhje midis krimeve dhe udhëheqjes qendrore të Kosovës, të shqiptarëve të Kosovës’. Ndërsa ne po diskutonim provat, asgjë nga këto nuk u është dhënë juve i nderuar gjykatës, asgjë fare, dhe këtë informacion ata e kanë pasur në dorë prej katër vitesh, dhe këta zotërinjtë që rrinë në burg nga nëntori i 2020-ës e kishin këtë informacion dhe e bënë të njohur që nga 1 shkurti”, ka thënë avokati i Thaçit.

Ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka thënë se nga pikëpamja procedurale ky është material i rregullës 103 dhe do të duhej të bëhej i njohur më parë.

“E kuptoj, për ne ka rëndësi kjo që dua të them, nga pikëpamja procedurale që është material i rregullës 103 dhe duhet të ishte bërë i njohur që më parë”, ka thënë gjykatësi.

Por sipas mbrojtjes së Thaçit, katër të akuzuarit duhet të lirohen nga paraburgimi.

“Duhej jo vetëm të bëhej e njohur kjo gjë për ju përpara, por këta burra duhet të lirohen, si pasojë e mosdijes, këta burra duhet të lirohen bazuar në një dokument që ata e lanë aty e mbajtën për katër vite. Kjo na çon përsëri të rregulli 62, ky duhet të jetë një tribunal që kërkon të vërtetën, dhe prokurori i specializuar duhet të përpiqet të tregoj të vërtetën, ju nuk e keni pasur kurrë këtë dokument dhe as ne nuk e kishim përpara të martës”, ka thënë Kehoe.

Madje, sipas avokatit Kehoe, ka edhe qindra ushtarë të UÇK-së që janë thirrur për të dhënë deklarata nga ZPS dhe të njëjtat nuk janë bërë të ditura.

“Ka disa individë që ata nuk i kanë bërë të njohur, në paragrafin 13 të aktakuzës ish kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi, zotëri Bukoshi ka folur me ZPS-në, intervista ka përfunduar me një deklaratë të vënë në diskutim nga prokurori ‘ju duhet të jeni shok me Hashim Thaçin apo jo’, ne nuk e kemi marrë kurrë këtë dokument, asnjë njoftim nëse e ka nënshkruar apo jo. Qindra ushtarë të UÇK-së janë thirrur për të dhënë deklarata, ku janë këto deklarata, çfarë thonë ata”, ka thënë Kehoe.

Mbrojtja e Thaçit, mbështetur edhe nga avokatët e tjerë, ka thënë se nuk janë në dijeni edhe sa materiale të tjera të tilla nuk janë nxjerrë nga Prokuroria.

“Ndërsa këta katër zotërinj rrinë në njësinë e paraburgimit, kurse ata fshihen pas refuzimit që të flasin në publik për atë që thonë lidhur me Policinë e Kosovës dhe me lirimin e parakohshëm dhe nuk japin materiale shfajësuese, kjo gjë duhet të ndalojë, me gjithë respektin që kam kjo gjë duhet të ndalojë”, ka thënë avokati Kehoe.

Ai ka thënë se ZPS-së nuk i besohet dhe se duhet të ketë një autoritet të paanshëm për të kryer punët.

E avokati i Kadri Veslei, Ben Emmerson ka kërkuar që prokuroria të sqarojë rrethanat në të cilat nuk e ka bërë të ditur dokumentin e ish-ambasadorit Everts.

Ai gjithashtu ka kërkuar që prokuroria të tregojë edhe sa materiale të tjera shfajësuese i posedon.

“Do t’u kërkoja që t’i kërkoni prokurorisë të na i të shpjegojë rrethanat në të cilat ku dokument është mbajtur pa u nxjerrë për një kohë kaq të gjatë”, ka thënë Emmerson.

Ndërsa për këtë ka folur prokurorja Claire Lawson.

“Mbrojtja mund të vendosë ose jo që t’i përdorë këto në kuadër të vet procesit gjyqësor dhe këto më pastaj mund të peshohen si prova të procesi gjyqësor duke u parë edhe në kuadër të provave që ka paraqitur prokuroria. Zotëri Kehoe përmendi edhe një intervistë të dytë në veçanti nga përgjigjet që kemi marrë duket se mbrojtja është më pak e interesuar në marrjen e këtyre materieve por ka më shumë interesim të bëjë parashtrime për to. Ne vijomë të bëjmë shqyrtimin në fjalë për nxjerrjen e materialeve të mundshme shfajësuese”, ka thënë prokuroja.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020./kp/Telegrafi/

Exit mobile version