Telegrafi

Avokati i Thaçit flet pas përfundimit të bastisjes në shtëpinë e ish-presidentit: Prokuroria po kërkon prova, pasi ka ngritur aktakuzën

Avokati Dastid Pallaska, i cili i është bashkuar grupit të avokatëve mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pas bastisjes në shtëpinë e këtij të fundit ka thënë se Prokuroria Speciale sipas asaj që është parë gjatë bastisjes, është duke kërkuar ende prova për aktakuzën të cilën tashmë e ka ngritur.

Pallaska tha se ishte i pranishëm gjatë zbatimit të urdhër bastisjes, e cila tha se ishte shumë e përgjithshme dhe pa një shënjestrim të duhur.

“Atë që mund të ju them është që bastisja është kryer, ndërsa sa i përket qëllimeve të bastisjes, ishin jashtëzakonshme të përgjithshme, rrjedhim ishte nuk dukej që kishte ndonjë shënjestrim të duhur të bastisjes, që është parakusht procedural për tu urdhëruar bastisja. Po ashtu, pa e nënvlerësuar këtë fakt mbetet e paqartë si në aspektin procedural ashtu edhe atë logjik që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës, përkatësisht konfirmimit të aktakuzës. Ajo çka kjo bastisje sugjeron, është që aktakuza kundër zotëri Thaçit siç është shënjuar mbetet në lëvizje, përkatësisht prokuroria ende po kërkon prova për aktakuzën që tashmë e ka ngritur”, tha Pallaska. /Telegrafi/