Gregory Kehoe, avokat i Hashim Thaçit, në ditën e dytë të gjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës mohoi të gjitha pretendimet e djeshme nga Prokuroria Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën e tij, avokati tha se Thaçi nuk ka pasur kontroll efektiv mbi UÇK-në
“Nuk ka pasur strukturë komanduese dhe kontrolluese mbi UÇK-në nga Hashim Thaçi apo askush tjetër që ishte pjesë e delegacionit në Rambuje. Ai thjesht nuk kishte kontroll efektiv mbi UÇK-në. Nuk kishte as pushtetin përfundimtar mbi politikën në UÇK. Provat nga Rambujeja tregojnë se Hashim Thaçi nuk e kishte mundësinë që të parandalonte apo ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona”, deklaroi Kehoe.
Dhe sipas tij, megjithëse Hashim Thaçi ishte zgjedhur udhëheqës i delegacionit në Rambuje, pushteti real i takonte komandantëve të zonave.
Më pas avokati paraqiti delegacionin shqiptar në Rambuje ku bënte pjesë edhe Ibrahim Rugova, anëtarë të UÇK-së e persona të pavarur. /Telegrafi/