Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka thënë se 6 nga 7 partitë kryesore që garojnë në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi, janë pro ruse dhe e zhvillojnë fushatën e tyre duke përdorur Kosovën.
Lidhur me këtë, ai ka apeluar ndërkombëtarët që të ndërhyjnë, pasi konsideron se narrativat ekzistuese të Serbisë kërcënojnë sigurinë e Evropës.
“Në Serbi, partitë politike edhe një herë po e përqendrojnë fushatën e tyre në Kosovë dhe:- në të njëjtën kohë, ata kryejnë programim emocional/psikologjik të votuesve të Serbisë për të ruajtur konfliktin gjatë dekadave të ardhshme… 6 nga 7 partitë kryesore politike në zgjedhje janë parti të hapura ruse”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Duke tërhequr një paralele mes fushatës së partive aktuale, Stojkoviq ka kujtuar edhe të bëmat e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, për të cilin k theksuar se fushatën e tij e ka fokusuar edhe në temën e Kosovës.
“Kjo rezultoi në luftëra, shkatërrime, viktima të mëdha dhe krime lufte. Perëndimi nuk duhet të flejë në të ardhmen dhe të vazhdojë të refuzojë të ndërhyjë drejtpërdrejt në politikën e brendshme të Serbisë, sepse narrativat ekzistuese kërcënojnë sigurinë e Evropës në afat të gjatë. Perëndimi duhet të marrë përsipër që të ndërhyjë drejtpërdrejt në situatën politike në Ballkan”, u shpreh Stojkoviq.
Ditë më parë, Vuçiq ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare insiston në nënshkrimin e marrëveshjes bazike me Kosovën, gjë që ai e ka refuzuar, por se populli i Serbisë duhet ta dijë që kjo do të ketë pasoja.
Këto komente Vuçiq i bëri pasi priti në takim nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “Sveti Sava”, nga Zherovnica e Komunës së Zveçanit, ku tha se ditët, javët dhe muajt nuk do të jenë të lehtë për Serbinë, pasi që përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, do të përpiqen të zgjidhin shumë gjëra në Kosovë, para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe para zgjedhjeve evropiane.
“Do të ketë më shumë presion dhe ata do të përfitojnë nga situata se Serbia ka diçka për të humbur, prandaj u thanë shqiptarëve, ne do t’iu vendosim sanksione, por ato nuk janë realisht sanksione dhe me këtë do të shantazhojmë Serbinë, sepse Serbia ka diçka për të humbur, për sa i përket imazhit dhe gjithçka tjetër. Kështu që shumë gjëra të vështira, jo shumë ditë, javë dhe muaj të lehtë janë përpara nesh, sepse ata do të përpiqen të zgjidhin shumë gjëra në Kosovë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe para zgjedhjeve evropiane”, deklaroi Vuçiq.
U Srbiji političke partije ponovo kampanju fokusiraju na Kosovo, i:
– ujedno SPROVODE EMOTIVNO/PSIHOLOŠKO PROGRAMIRANJE glasača Srbije da održe konflikt kroz buduće decenije, balkanskom verzijom onoga što je uradio Hamas među Palestincima.6 od vodećih 7 političkih partija na… pic.twitter.com/hWD9NHtdWa
— Advokat Čedomir Stojković ???? (@FIGHT_4_RIGHT_S) November 27, 2023