Përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës, avokati Besnik Berisha, ka deklaruar se deputeti Etem Arifi ishte i certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kohën kur kishte votuar për Qeverinë e Kosovës.
Berisha ka pohuar se LVV po sfidon vendimin e Gjykatës, të cilët nuk i kanë shqiptuar atij një dënim plotësues, transmeton Telegrafi.
“Zotëri Arifi ishte i certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndaj tij nuk kishte dënim plotësues siç e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Dënimit të cilit i referohen është për legjislaturën paraprake, jo legjislaturën e shtatë. Këta po sfidojnë vendimin e gjykatës, të cilët nuk i kanë shqiptuar një dënim plotësues zotëri Arifit, pra ndalimin për tu zgjedhur. Etem Arifi kishte humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë dhe jo në legjislaturën e shtatë. Është e parëndësishme se kur është njoftuar Kuvendi”, tha ai.
Avokati Berisha pohoi se deputeti Arifi për veprën penale ka filluar të hetohet në vitin 2014, dhe në fund të vitit 2018 është shpall fajtor dhe se e gjithë kjo periudhë kohore i referohet legjislaturës së gjashtë.
Seanca dëgjimore është duke vazhduar. /Telegrafi/