Site icon Telegrafi

Avokati i Popullit, Ziberi: Ligji s’i mbron mjaftueshëm viktimat nga krimi kibernetik

Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi, thotë se asnjë viktimë e grupit “Dhoma publike” në platformën Telegram, ku ishin shpërndarë më shumë se 10 mijë fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave, nuk ka kërkuar ndihmë nga dikasteri që përfaqëson. Në një inervistë për Radion Evropa e Lirë, Ziberi thekson se kryerësit e kësaj vepre duhet të vihen para aktit të përgjegjësisë dhe para sanksioneve, e nëse sanksionet mungojnë, ato duhet të krijohen.

“Nga informacionet që kam unë, meqë bëhet fjalë për ditën e dytë të marrjes së detyrës, deri më tani nuk ka ndonjë parashtresë apo kërkesë tek Avokati i Popullit për të ndërmarrë veprime për të hulumtuar rastin dhe për të kërkuar përgjegjësi.

Nga ajo që unë e kam të njohur, këtu do të ketë angazhim të më tepër strukturave shtetërore, po edhe të Avokatit të Popullit. Një herë për hulumtimin e rastit (Dhomat publike) për mundësinë e sanksionimit të veprimeve, sanksionim që do të shkojë deri te nevoja për ndryshime ligjore të Kodit Penal dhe dhënies së rekomandimeve për mospërsëritjen e rastit, i cili seriozisht dëmton lirinë dhe të drejtat e qytetarëve.

Komunikimi elektronik, digjitalizimi, janë e drejtë e qytetarëve, por kjo e drejtë mund të shtrihet deri aty ku nuk rrezikohen dhe të drejtat e të tjerëve. Në çdo rast kur kjo ndodh, duhet të këtë përgjegjësi” thotë mes tjerash Ziberi.

“Po qe se ndonjë prej personaliteteve të prekura nga kjo ngjarje i drejtohet Avokatit të Popullit, në mënyrë adekuate do të reagojmë dhe do ta njoftojmë edhe opinionin publik.

Por, dua të paraqes këtu shikimin tim personal nga kjo ngjarje, e ajo është: se nuk ka kornizë të mjaftueshme juridike, rregullativë, dispozitë, që i rregullon këto çështje. Që këtej, jo rastësisht edhe Ministria e Drejtësisë paralajmëroi se ndoshta do të pasojë edhe ndryshimi i Kodit Penal, ku duhet të sanksionohet kjo çështje” shton Ziberi.

Janë të mjaftueshëm mekanizmat juridikë për të mbrojtur të miturit nga abuzimi seksual në rrjetet sociale dhe cili është roli i Avokatit të Popullit në këtë drejtim, mund të iniciohen procedura edhe pa denoncim përmes “zërit të prekur”?. /REL/

Exit mobile version