Brenda dy viteve në 10 qendra për punë sociale, 23 personave me aftësi të veçanta u është refuzuar kërkesa për kompensim për shkak të kushtit “mosha e mbushur 65 vjeçare”. Ky kusht sipas Avokatit të Popullit është diskriminues dhe është burim i shkeljes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve, ndërsa ka ngritur edhe nismë për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Mbrojtje Sociale.
“Bëhet fjalë për nenin 44, paragrafi 2, i cili rregullon të drejtën e parashtrimit të kërkesës për kompensim për persona të cilët kanë pengesa, qoftë psikike ose fizike. Kjo dispozitë e kufizon të drejtën e aplikimit të kërkesës deri në moshën 65 vjet. Si dispozitë është diskriminuese për qytetarët në bazë të moshës, pasi pas kësaj periudhe, qytetari nuk ka të drejtë të bëjë një kërkesë të tillë. 01:38 Sipas natyrës së sëmundjes, zakonisht paraqiten në moshë të thyer kur qytetari nuk mund të plotësojë nevojat elementare për një jetë normale”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Lidhur me këtë ligj, një qytetar nga Prilepi dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut nga Shkupi kanë dorëzuar nismë te Gjykata Kushtetuese. Nga atje thonë se kjo lëndë do të jetë në rend dite në seancën e së mërkurës së ardhshme, ku do të votohet drejtpërdrejtë, pasi debati është shterur më herët.
“Lënda do të jetë në seancën e ardhshme. Do të votohet në mënyrë direkte, sepse debati është shterur, ndërsa kur ishte në rend dite nuk ka pasur shumicë, pasi në atë periudhë nuk kemi pasur numër të mjaftueshëm të gjykatësve. Gjykata Kushtetuese ka shprehur dyshime për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e nenit të kontestuar“, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Këtë vendim po e pret edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e njoftoi Avokatin e Popullit se do të veprojë në bazë të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Sipas nenit 44 të Ligjit për Mbrojtje Sociale, kompensimi për shkak të aftësive të veçanta sigurohet për inkurajim të angazhimit social dhe mundësive të barabarta. Kompensimin mund ta realizojë personi që ka mbushur moshën 26 deri në 65 vjeçare./Alsat/