Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka deklaruar se për dëmin që po i bëhet qytetarëve të tjerë të Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar nga serbët në veri të vendit, po presin vendimin e Gjykatës së Apelit.
Që nga përfundimi i luftës më 1999, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk i kanë paguar faturat e energjisë edhe pse janë furnizuar nga Kosova, ndërkohë ishte llogaritur si humbje komerciale dhe ishte paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës.
Më 2017, Avokati i Popullit kishte dorëzuar padi në Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila më 11 tetor 2021, kishte aprovuar kërkesë padinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrë së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës.
I njëjti aktgjykim e obligon ZRrE-në që të ndërmarrë veprime që e obligojnë KEDS-in që të bëjë kompensimin e dëmit ndaj konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.
Lidhur me ankesën e ZRRE-së, Qelaj ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit.
“Qytetarët janë ngarkuar me shpenzimet e energjisë elektrike në veri dhe ne këtë e kemi parë si problem dhe shqetësim, sepse përveç që ka krijuar pakënaqësi te qytetarët, ka mundur të ndikojë drejtpërdrejt edhe në raportet në mes të komuniteteve. Një veprim i autoriteteve publike ka qenë diskriminues ngase qytetarëve u janë faturuar shpenzimet e energjisë, të cilat i ka kriju dikush tjetër. Ne kemi dorëzuar një padi në Gjykatë, çështja ka përfunduar në shkallë të parë ku është aprovuar padia e Avokatit të Popullit…Tani çështja është në Gjykatën e Apelit dhe do të presim për epilogun e kësaj çështjeje”, u shpreh Qelaj, transmeton KP.
KOSTT-i vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, për janar dhe shkurt, ka paguar rreth 13 milionë euro për rrymën e shpenzuar nga qytetarët serbë në katër komunat e veriut të Kosovës.
Kostoja totale financiare për pjesën veriore të Kosovës për vitin 2021 ishte rreth 41 milionë euro.