Site icon Telegrafi

Avokati i Popullit në Maqedoni: Ndërprerja e dhënies së dokumenteve personale, shkelje e të drejtave të qytetarëve

Avokati i Popullit ka shprehur brengosjen në lidhje me ndërprerjen e sërishme të lëshimit të dokumenteve personale (letërnjoftime, pasaportë, patentë shoferi) nga MPB.

Sipas Avokatit të Popullit, një veprim i tillë do të ndikojë seriozisht në realizimin e shumë të drejtave të tjera të qytetarëve.

“Duke marrë parasysh që vitin e kaluar për shkak të pandemisë dhe masave restriktive një numër i madh i qytetarëve nuk i ripërtrinë dokumentet personale, ndërsa disa prej tyre nuk arritën t’i vazhdojnë për shkak të kufijve të mbyllur, Avokati i Popullit konsideron se ministria kompetente duhej të parashikojë një situatë të tillë dhe rrjedhimisht me këtë të përshtatë punën”, thuhet në reagimin e Ombudsmanit.

Nga ky institucion thonë se ndryshimi i sistemit ose përditësimi i tij në periudhë kur pritet të ketë fluks të rritur të kërkesave për lëshimin e dokumenteve, është jopërkatës dhe paraqet shkelje të të drejtave të qytetarëve.

“Avokati i popullit sipas iniciativës së tij do t’i hetojë lëshimet eventuale në punën e shërbimeve kompetente në Ministrinë e punëve të brendshme, të cilat do të ishin arsyet e ndërprerjeve në lëshimin e dokumenteve të qytetarëve. Njëkohësisht, Avokati i popullit kërkon që Ministria e punëve të brendshme në fushëveprimin e punës së saj të hetojë se për cilat arsye qytetarët janë sjellur në një situatë të tillë dhe të përcaktojë përgjegjësinë për lëshimin e mundshëm të shërbimeve”, thuhet në fund të reagimit./Telegrafi/

Exit mobile version