Avokati i Popullit Naser Ziberi thotë se Ministrisë së Punëve të Brendshme i mungojnë formularë për dokumentet e udhëtimit, ndërsa qytetarët ankohen se nuk munden t’i marrin në kohë dokumentet e udhëtimit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ziberi tha se në zyrën e Avokatit të Popullit arrijnë ankesa nga qytetarët për pamundësinë e caktimit të terminit për marrjen e dokumenteve personale dhe për problemin e shpenzimeve shtesë për dokumente të reja. Dokumentet e udhëtimit për shkak të ndryshimeve kushtetuese për emrin e ri të shtetit, pas 12 shkurtit nuk do të vlejnë më.
“Këto ankesa kanë filluar të mbërrijnë pas vitit të ri dhe ne do t’i drejtohemi Ministrisë së Brendshme pse ka pasur vonesë në nxjerrjen e atyre tashmë të përgatitura, supozoj se ato dokumente të udhëtimit janë përgatitur dhe do të reagojmë. Në biseda të caktuara jozyrtare kam marrë informacion se ka mungesë të formularëve”.
“Mund të them me siguri se mungojnë formularët për dokumentet dygjuhësore të udhëtimit, por mendoj se mungojnë edhe formularët për dokumentet e tjera”, theksoi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.