Site icon Telegrafi

Avokati i Popullit: Ligji garanton të drejtën për votim jashtë vendit, shteti duhet të mundësojë që procesi të jetë i drejtë për të gjithë

Avokati i Popullit, Naim Qelaj është deklaruar në lidhje me procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës dhe në lidhje me procesin e verifikimit të aplikacioneve që vijnë jashtë vendit, për të cilat pati reagime të shumta.

Ai ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës, të garantuar me kornizën ligjore të vendit.

Qelaj përmes një deklarate tha se “Përderisa ligji garanton të drejtën për të zgjedhë jashtë vendit, është detyrim i shtetit që procesi zgjedhor të organizohet në mënyrë të mirëfilltë në praktikë ashtu që të mundësohet që zhvillimi i këtij procesi të jetë i drejtë dhe demokratik, duke mundësuar përfshirje sa më të madhe të qytetarëve me të drejtë vote”.

Deklarata e plotë:

Avokati i Popullit, në përmbushje të mandatit që ka është duke ndjekur me vëmendje procesin për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai vlerëson rëndësinë që kanë zgjedhjet brenda një sistemi demokratik dhe thekson se procesi zgjedhor për të qenë i pakontestueshëm duhet të jetë i mbështetur fuqishëm mbi parimet dhe garancitë që i kanë vendosur Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Me këtë rast, Avokati i Popullit i bën thirrje partive politike që të zbatojnë dispozitat e Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, përkatësisht, nenit 6 dhe nenit 14 të ligjit, në listat e kandidatëve për deputet që të respektohet barazia gjinore, respektivisht përfaqësimit prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini.

Avokati i Popullit duke marrë parasysh reagimin e publikut lidhur me vendimin Nr. 42-2021, të datës 11 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrimin për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosovës, thekson se procesi i verifikimit të aplikacioneve është i domosdoshëm për garantimin e besueshmërisë së procesit zgjedhor.

Megjithatë, e drejta për të zgjedhë është një e drejtë e garantuar për secilin person që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Përderisa ligji garanton të drejtën për të zgjedhë jashtë vendit, është detyrim i shtetit që procesi zgjedhor të organizohet në mënyrë të mirëfilltë në praktikë ashtu që të mundësohet që zhvillimi i këtij procesi të jetë i drejtë dhe demokratik, duke mundësuar përfshirje sa më të madhe të qytetarëve me të drejtë vote.

Prandaj, është e domosdoshme që KQZ të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës, të garantuar me kornizën ligjore të vendit.

Avokat i Popullit i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe partive politike që të kenë parasysh situatën e krijuar nga pandemia Covid – 19, dhe gjatë aktiviteteve që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 14 shkurt 2021, të respektojnë në mënyrë rigoroze rekomandimet e IKSHP-së dhe masat e vendosura nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e pandemisë COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version