Telegrafi

Avokati i Popullit konstaton se ka pasur shkelje nga MPB-ja dhe Komisioni i Ankesave në rastin e Tienmu Ma

Avokati i Popullit ka publikuar raportin me rekomandime në lidhje me refuzimin e kërkesës së Tienmu Ma për leje qëndrimi në Republikën e Kosovës, ku argumentohet se ka pasur shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar, të së drejtës së privatësisë, si dhe të një numri të parimeve të përgjithshme të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se raporti në fjalë argumenton se ka pasur shkelje të kryera nga Divizioni për të Huaj i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe po ashtu shkelje të kryera nga ana e Komisionit të Ankesave për të Huaj.

“Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore, sot publikoi Raportin me rekomandime për ankesën me numër 555/2020 në lidhje me refuzimin e kërkesës së z. Tienmu Ma për leje qëndrimi në Republikën e Kosovës. Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesën e z. Tienmu Ma, më 27 shtator 2020, i cili ka pretenduar se veprimet e autoriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë shkelur të drejtat e tij kushtetuese e ligjore lidhur me trajtimin e kërkesës së tij për leje qëndrim në Republikën e Kosovës”, thueht në komunikatë.

Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit ka konstatuar se gjatë trajtimit të çështjes së Tienmu Ma ka pasur shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar, të së drejtës së privatësisë, si dhe të një numri të parimeve të përgjithshme të Ligjit nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Avokati i Popullit u ka rekomanduar autoriteteve përgjegjëse rishqyrtimin e çështjes në rastin e Tienmu Ma, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, me qëllim të përmirësimit të mangësive të cilat kanë shkaktuar shkeljet e konstatuara nga Avokati i Popullit. /Telegrafi/