Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh rëndësinë e kësaj date për të reflektuar si shoqëri lidhur me gjendjen e të drejtave të fëmijëve.
Kjo ditë duhet të shërbej si një thirrje për të gjithë lidhur me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve të cilët janë bartës të të drejtave të tyre dhe që duhet të jenë pjesëmarrës aktivë në realizimin e tyre. Raporti i Avokatit të Popullit për vitin e kaluar ka treguar se fëmijët ende hasin në vështirësi për gëzimin e plotë të të drejtave të tyre, veçanërisht në realizimin e së drejtës për arsim dhe mbrojtje sociale dhe shëndetësore.
Avokati i Popullit thekson se fëmijët duhen të kenë një jetë pa dhunë si e drejtë themelore dhe parakusht i domosdoshëm për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijës. Përkundër kësaj, kohëve të fundit janë shënuar disa raste eklatante të dhunës ndaj fëmijëve por edhe ndërmjet tyre nëpër shkolla. Këto ngjarje duhen të merren seriozisht nga të gjitha institucionet që të parandalohen në të ardhmen në mënyrë që fëmijët të mos ndjehen të pasigurt në shkolla. Duhet të punojmë të gjithë së bashku që fëmijët të jenë pjesëmarrjes kuptimplotë në shkollë dhe komunitet në mënyrë që ata të rriten duke zhvilluar potencialin e tyre të plotë, me dinjitet e mirëqenie.
Që nga nxjerrja e ligjit të ri për mbrojtjen e fëmijëve më 17 korrik 2020, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e të gjithë akterëve dhe institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji si dhe kërkon angazhim maksimal për mbrojtjen dhe garantimin e interesit më të mirë për fëmijët në Republikën e Kosovës.
Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor të çdo viti nga shumë vende të botës dhe u shpall ditë ndërkombëtare e fëmijëve në konferencën botërore për mirëqenien e fëmijëve më 1925, në Gjenevë të Zvicrës. Atë ditë, 54 shtete pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Gjenevës për Mbrojtjen e Fëmijëve.