Avokati i Popullit ka pritur me shqetësim publikimin e disa lajmeve nga portale që kanë publikuar lista me tabela që përmbanin emra dhe mbiemra, e shumë informata tjera, për personat që janë urdhëruar të izolohen në karantinë për shkak të Coronavirusit.
Avokati i Popullit konsideron se këto publikime bien në kundërshtim me shumë norma juridike dhe po ashtu në disa rregullore që i dedikohen vet-rregullimit të mediave.
Kushtetuta e Kosovës e rregullon shumë mirë këtë çështje e në veçanti neni 36 [E Drejta e Privatësisë], Ligji Nr. 06/L-082 Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, dhe Ligji Nr.2004/38 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor.
Avokati i Popullit i drejtohet portaleve që të largojnë këto lajme në mënyrë që mos të ri-publikohen nga portalet e tjera.
Po ashtu, Avokati kërkon nga mediat dhe gazetarët që të bëjnë më shumë për mbrojtjen e të dhënave personale të personave në vetë izolim, karantinë, të diagnostifikuar me Covid 19, dhe të hospitalizuar, përveç ato që jepen me pëlqimin e personit.
Mediat janë duke luajtur një rol të madh në këtë mes duke dërguar gazetarë po ashtu deri në vijën e parë të frontit për të shpërndarë informacionet e duhura për publikun. Mediat kanë edhe obligimet e veta për të përmbushur sipas Kodit Etik dhe dokumenteve tjera vet-rregulluese.
Avokati nënvizon rekomandimet e fundit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) për të gjitha mediat rreth raportimit të tyre mbi situatën me COVID-19. /Telegrafi/