Site icon Telegrafi

Avokati i Popullit ka adresuar 173 rekomandime për institucionet

Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë vitit 2016 ka adresuar gjithsej 173 rekomandime në raportet dhe letrat me rekomandime për institucionet publike të Kosovës.

Këtë e bëri të ditur Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në konferencën për media ku u paraqiten të dhënat preliminare për periudhën janar-dhjetor të këtij institucioni.

Jashari tha se ajo që vlen të theksohet për punën e institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016 është puna që ka bërë në publikimin e rekomandimeve për institucionet publike në Kosovë, që sipas tij këtë vit është 200 për qind më e madhe sesa vitin e kaluar.

“Ajo që është më e rëndësishmja kisha me theksu është puna në publikimin e rekomandimeve për institucionet e përgjithshme të autoritetit publik të Kosovës dhe kjo shifër është 200 për qind më e madhe se sa ajo krahasuar me vitin paraprak, do të thotë në vitin 2015. Kemi arrit shkallën 200 për qind në publikimin e rekomandimeve që i adresohen institucioneve publike të Kosovës krahasuar me vitin 2015. Ndërsa, gjithashtu kemi pas edhe një rritje jashtëzakonisht të madhe në numrin e rasteve të hapura sipas mandatit Ex Officio ose sipas detyrës zyrtare dhe kjo shifër në krahasim me vitin 2015 arrin shkallën 90 për qind ”, tha Avokati i Popullit.

Në këtë konferencë janë paraqitur edhe rezultatet që ky institucion ka bërë për këtë vit.

Zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj bëri të ditur se numri i ankesave për vitin që shkoi  është 1 mijë e 631.

“Numri i ankesave për këtë vit gjithmonë llogaritë që data e këtyre të dhënave është 19 dhjetor që është 1631 ankesa, numri i personave të përfshirë në ankesat e paraqitura 3498, numri i rasteve të hetuara është 836, rastet e hapura Ex Officio janë 54. Mund të vëreni që në bazë të numrit të rasteve të hetuara në krahasim më vitin e kaluar kemi një rritje, këtu e shiheni 110 mbase ma shumë se kaq rasteve të hetuara që e ndryshon dukshëm këtë statistikë”, tha ajo.

Në këtë raport të Institucionit të avokatit të Popullit është edhe përkatësia etnike e anketuesve, bazuar në ankesat e paraqitura që rezulton se 98 për qind kanë qenë shqiptarë, gjashtë për qind serbë, ashkali 2 për qind dhe të tjerë 5 për qind. Ndërsa, sipas gjinisë 77 për qind e ankuesve kanë qenë meshkuj, ndërsa 23 për qind femra.

Po ashtu, Sinani-Lulaj bëri të ditur se numri i përgjithshëm i rasteve të mbyllura për vitin 2016 është 390.

Në këtë raport u përmend edhe Mekanizimi Kombëtarë për parandalimin e Torturës i cili është formuar me 16 janar 2016 në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit. /KP/

Exit mobile version