Site icon Telegrafi

Avokati nuk e di ku është Arban Dervishi, por beson se ai do të kthehet në burg

Petrit Dushi, avokat i Arban Dervishit, nuk ka shprehur fare dyshimin se ky i fundit do të kthehet në Kosovë në vuajtje dënimit, në rast se vendimi për këtë gjë do të jetë përfundimtar.

“Aq sa e njoh unë, dhe e njoh për pesë vjet të plota, nuk besoj që ai nuk do të kthehet. Unë besoj në ndershmërinë e tij, sepse nuk mendoj se ai dhe babi i tij do t’i bishtnohen ligjit dhe institucioneve”, ka thënë Dushi në “Interaktiv” të KTV-së.

Por ai që ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore që vuajtja e dënimit për Dervishin të shtyhet për dy javë nuk e di se ku ndodhet klienti i tij. Dushi ka thënë se Dervishi ka shkuar jashtë Kosovës për të bërë një biznes me të cilin do të jetonte, por ka thënë se nuk e di vendin se ku ndodhet.
“Më ka telefonuar prej një numri jashtë Kosovës, por sinqerisht nuk e di se ku është”, ka thënë ai.

Në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka treguar se me klientin e tij, Arban Dervishin është takuar për kafe të mëngjesit më 15 mars dhe kanë biseduar për hapat e mëtejmë.

“Zakonisht Gjykata Themelore i ekzekuton vendimet me një procedurë në 8-15 ditë. Dhe çka ndodhë, Arbanit i dërgohet vendimi në kufirin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Themelore, pra kur do të duhej që të zbatohej pas 8 ditësh. Dhe urdhëresa ka ardhur në shtëpinë e Arbanit në kohën kur ai nuk ka qenë në shtëpinë e tij”, ka thënë Dushi.

“Me kërkesë të të dënuarit unë kam bërë kërkesë që të shtyhet ekzekutimi i vendimit për dy javë. Është njoftuar kryetari i Gjykatës se Arbani do të kthehet dhe lutet që vendimi për vuajtjen e dënimit të shtyhet”, ka thënë ai.

Exit mobile version