Avokati Anton Nrecaj fajëson Gjykatën Speciale për rrjedhjen e dosjeve.
Nrecaj në RTV Dukagjini thotë se dosjet që pretendohet se janë të Gjykatës Speciale që janë lënë të zyrat e OVL UÇK-së kanë pasur një qëllim.
“Tendenca është që për herë të dytë brenda disa muajve po shkaktohet skandal nga Gjykata Speciale”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Avokati thotë se OVL e UÇK-së ka gabuar që kur i kanë parë dosjet e dyshimta nuk kanë njoftuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Kosovës.
“Është gabim njoftimi i policisë dhe prokurorisë përmes mediave. Aty ka pasur emra të dëshmitarëve të mbrojtur. Informata nuk guxon të plasohet në publik. Ju keni dhënë kopje të atyre dosjeve mediave”.
Nrecaj thotë se përgjegjësia kryesore për rrjedhjen e dosjeve i bie Gjykatës Speciale.
“Gjykata Speciale duhet të japë llogari për këtë rrjedhje pasi që nëse ajo nuk bënë transparencë dhe nuk e merr përgjegjësinë për rrjedhjen e këtyre informacioneve bëhet e pabesueshme”.
“Në aspektin ligjor mund të kompromentohet gjithçka”.
Avokati thotë se në Kosovë veprojnë shumë shërbime sekrete dhe nuk përjashtohet mundësia që dikush nga ta t’i ketë dërguar ato dokumente në zyrat e OVL UÇK-së./Telegrafi/