Telegrafi

Avokati i Ninxhas: DSK-ja i ka keqpërdorur të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit

Sot në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë. Në seancën e sotme fjalët përfundimtare i ka thënë avokati Zvonko Davidoviq, i cili e mbron të akuzuarin Aleksandar Vasilevski-Ninxha.

Davidoviq tha se Aleksandar Vasilevski – Ninxha është person kontrovers i cili shkaktoi vëmendje në opinion, por shtoi se, ai është njeri i cili ka folur publikisht për ngjarjet e 27 prillit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Prokuroria i ofroi mbrojtje pasi deklarata përfshiu personalitete të fuqishme, por si edhe gjithmonë nuk e mbajti fjalën. Ata që sot nuk janë në sallën e gjykatës bënë pazare me prokurorinë pasi e treguan atë që vetëm Prokuroria Publike deshi ta dëgjojë”, tha Davidoviq.

Sipas Davidoviq, prokuroria vetëm me dëshminë se Ninxha ka folur përmes telefonit më vëllain e tij, i cili atë periudhë ka qenë sigurim i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe se është në filmimet para lokalit Dion, dëshirojnë ta akuzojnë për terrorizëm.

Avokati vlerëson se aktakuza e Prokurorisë është vetëm me supozime dhe se për drejtësinë nevojiten dëshmi. Ai shtoi se është e dyshimtë ajo që Prokuroria në mënyrë selektive i tregon dëshmitë.

Në fjalët përfundimtare, avokati Davidoviq tha se të akuzuarit madje edhe klienti i tij, janë viktima të DSK-së të cilët e kanë ideuar të gjithë ngjarjen. Ai thotë se është e mundur Drejtoria t’i ketë formuar edhe shoqatat patriotike me qëllim t’i përdorë për ngjarjet në Kuvend.

“DSK i ka keqpërdorur këta njerëz ndërsa Ninxha ka pasur për detyrë të njoftojë për ngjarjet. Kërkoni përgjegjësi tek Vlladimir Atanasovski, Nikolla Boshkovski”, theksoi Davidoviq.

Pasdite vazhdon seanca me fjalët përfundimtare të të akuzuarve./Telegrafi/