Rastet e incidenteve në raportet midis avokatëve dhe klientëve të tyre nuk janë një fenomen i përhapur në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë që nuk ndodhin.
Të paktën këtë lë të kuptosh rasti i denoncuar në policinë e Dimalit, ku një 60-vjeçar nga Tirana me profesion avokat, ka kallëzuar klienten e tij me banim në këtë qytet se e shqetësonte përmes telefonatave të shpeshta.
Uniformat Blu sqarojnë se ka nisur procedimi penal për 48-vjeçaren me iniciale M.K., pas denoncimit nga mbrojtësi i saj ligjor, shkruan A2.
“Stacioni i Policisë Dimal referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. K., 48 vjeçe, banuese në Berat, pasi dyshohet se nëpërmjet thirrjeve telefonike keqdashëse, i ka prishur qetësinë përfaqësuesit të saj ligjor, shtetasit E. P., 60 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/