Telegrafi

Avokati Musa: Nëse ndodh një ngacmim seksual nga prindi apo mësuesi, dënimi nuk mund të jetë më i ulët se 15 vite burg

Avokati Skender Musa thotë se pavarësisht që ka mundur të ndodh që për dhunime seksuale ndaj fëmijëve të shqiptohen dënime me kusht, një gjë e tillë nuk është e munduar në bazë të kodit penal.

“Dënimet për dhunimin e të miturve fillon nga 10 vite burg. Nëse ngacmimi seksual, pra jo dhunimi, ka ndodhur nga prindi, mësuesi apo i afërmi, kodi penal parasheh dënim jo më pak se 15 vite burg. Pra në raste të tilla nuk ka mundësi për dënim me kusht”, deklaroi Musa në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.

Avokati thotë se institucionet në vend se të zihen me njëra tjetrën duhet të veprojnë në raste të tilla.

“Janë shumë raste të ndjeshme dhe në këtë aspekt institucionet duhet me reagua me shumë efektivitet. Duhet të merren parasysh edhe traditat e popullit tonë dhe ndjeshmëria ndaj rasteve të tilla”.

Një 11-vjeçare dyshohet së është dhunuar nga pesë persona, më 27 gusht, në Prishtinë.

Rasti nxiti reagime të shumta, si nga udhëheqësit e institucioneve, ashtu edhe nga përdorues të tjerë të rrjeteve sociale.

Policia e Kosovës njoftoi se viktima është dërguar në një strehimore.

Rasti u përkeqësua edhe më tej kur u mësua se gjashtë persona tjerë u arrestuan nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer tri vepra, ndër to atë të trafikimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Për rastin më 30 gusht ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti për “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”.

Një ditë pas dorëheqje ka dhënë edhe Ali Gashi, i cili ka udhëhequr Drejtorinë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Më 2 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar edhe për dy shkarkime.

Ndërsa gjatë së dielës ka pasur përplasje mes institucioneve në lidhje me efikasitetin e institucioneve të drejtësisë për trajtimin e rasteve të përdhunimeve./Telegrafi/