Telegrafi

Avokati: Murat Jashari nuk ka përmendur emra të personave për t’u ekzekutuar

Avokatët e dy personave të arrestuar sot lidhur me tentim vrasjen ndaj avokatit Azem Vllasi, kanë dhënë versionet e tyre lidhur me ngjarjen e sotme ku mbeti i plagosur avokati i njohur kosovar, njëri ndër politikanët kryesorë në vend në vitet 1980.

Avokati Emrush Kastrati, që mbron Murat Jasharin, personin që dyshohet se shtiu në Azem Vllasin tha se i mbrojturi i tij është intervistuar sot në hetuesi.

“Ai e ka pranuar që ka qenë dorasi, nuk e ka fshehur. Motivi i tij sipas arsyetimit të tij është për shkak të dëmeve nga vitet e 80 e këndej që ia ka shkaktuar rinisë me politikën e tij dhe nuk ka të bëjë asgjë me profesionin e tij”, tha Kastrati.

Lexo po ashtu Pamje ekskluzive: Plagosja e Azem Vllasit (Video)

Kastrati më tej tha se do të propozojë ekzaminim psikiatrik për të mbrojturin e tij.

“Bindja ime profesionale sa kam parë tek ai njeri është se ai ka probleme shëndetësore. Unë kam biseduar edhe me familjen e tij dhe ai vet gjatë marrjes në pyetje në hetuesi e ka konfirmuar se përdor medikamente për depresion e të ngjashme”, tha Kastrati.

Kastrati mohoi që gjatë intervistimit është përmendur një organizatë me emra të personave për t’u ekzekutuar, ashtu siç ishte raportuar sot gjatë tërë ditës nëpër portalet e vendit.

Lexo po ashtu Njeriu që plagosi Vllasin përmend edhe Isa Mustafën

Kastrati nuk deshi të komentojë më tej por tha se hetimet do të zbardhin këtë rast ndërsa tha se nesër mund të mbahet seanca dëgjimore pasi që ndaj Murat Jasharit dhe Avni Llumnicës është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Lexo po ashtu Çfarë kishte shkruar 10 ditë më parë Jashari për presidentin Thaçi?

Për dallim nga Jashari, i arrestuari tjetër, Avni Llumnica nuk e ka pranuar gjatë marrjes në pyetje në polici se ka pasur ndonjë rol në ngjarjen e sotme.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokatja e tij, Hedije Ademi. /Kallxo.com/

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth avokatit Azem Vllasi