Aplikimi i gjobave nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për ndryshimet e deklaratave tatimore para vitit 2024 po ndëshkon padrejtësisht tatimpaguesit, duke shkelur parimet kushtetuese.
Avokati nga Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata”, Florin Lata thekson se “ndalimi i efektit prapaveprues të ligjit është një nga parimet themelore të drejtësisë”, duke shtuar se “Kushtetuta e Kosovës garanton që asnjë ligj nuk mund të zbatohet për të ndëshkuar veprime që kanë ndodhur para hyrjes së tij në fuqi.”
Lata shpjegon se Ligji Nr. 08/L-029 për Procedurat Tatimore dhe Administrative, në nenin 99, pika 1.2, parashikon gjoba për deklaratat tatimore të dorëzuara me vonesë.
Sipas tij, “zbatimi i këtij ligji për periudha para hyrjes në fuqi krijon shqetësime të mëdha ligjore dhe kushtetuese.”
Ai nënvizon se “nëse sot ndryshoni ndonjë deklaratë të vitit 2023, sistemi automatikisht do t’ju gjobisë me 150 euro për secilën prej tyre.”
Avokati Lata gjithashtu kritikon afatin e shkurtër prej vetëm 15 ditësh për hyrjen në fuqi të ligjit, duke e cilësuar atë si “tejet të pamjaftueshëm.”
Ai rekomandon që “periudha e arsyeshme për një ligj të tillë duhej të ishte të paktën 6 muaj, për t’u siguruar që bizneset dhe kontabilistët të kenë kohë të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet e tyre.”
“Praktika e aplikimit të gjobave për periudha që nuk ishin subjekt i këtij ligji krijon pasiguri ligjore dhe vendos një barrë financiare të panevojshme mbi bizneset,” thekson Lata.
Ai përfundon duke thënë se “këto vendime duhen kundërshtuar dhe të drejtat tona duhet të mbrohen në gjykatë,” duke e theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tatimpaguesve në këtë kontekst. /Telegrafi/