Avokati Arianit Koci ka thënë se presidentit Hashim Thaçi po i shkelen të drejtat elementare të njeriut nga Gjykata Speciale, e cila s’po tregon asgjë lidhur me aktakuzën e propozuar ndaj tij.
Koci përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se nuk po tregohet as respekti minimal ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj figurës së presidentit Thaçi.
Ai tha se afati gjashtë mujor ka skaduar.
“Nuk po tregohet as respekti minimal ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj figurës së Presidentit të të Kosovës, e as ndaj Hashim Thaçi si individ, me faktin që Dhomat e Specializuara nuk japin informata se çka po ndodh me aktakuzën e deponuar me 24 prill 2020. Afati gjashtë mujor ka skaduar. Një popull i tërë po mbahet peng! Në anën tjetër, Thaçi po i shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë brutale. Po bëhen dhjetë vite që kur kanë filluar hetimet – njëherë nga senatori Dick Marty, e pastaj nga task forca e ambasadorit Clint Ëilliamson”, ka shkruar ai.
Avokati Koci po ashtu theksoi se qytetarët e Kosovës duhet të informohen urgjentisht se çka po ndodh me presidentin e tyre, përndryshe siç tha ai do të humbet besimi ndaj kësaj gjykate.
Ndërkaq, lidhur me propozim-aktakuzën, për Telegrafin ishtë deklaruar zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, Angela Griep.
Griep deklaroi se edhe nëse aktakuza konfirmohet, gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhëroj mos zbulimin e përkohshëm të saj.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, në varësi të specifikave të çështjes individuale, ka deri në gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim nëse do të hedhë poshtë ose konfirmojë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, Rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar, e cila mund të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas depozitimit të saj.
Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedure”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Gjykata Speciale do duhej të konfirmonte ose jo propozim-aktakuzën për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Gjashtë muaj pas propozim-aktakuzës, Specialja duhet të njoftojë se çfarë vendim do të marrë. /Telegrafi/