Telegrafi

Avokati Kerveshi: Kosovari i kërkuar për vrasje në Norvegji nuk mund të ekstradohet atje

Visar Avdyli, i arrestuar të mërkurën në Ferizaj për një vrasje të kryer në Oslo, nuk mund të ekstradohet në Norvegji.

Kështu ka deklaruar avokati Kujtim Kerveshi, i cili ka thënë se Kosova dhe Norvegjia nuk kanë marrëveshje për ekstradim.

“Shtetasi i Kosovës V.A. nuk mund të ekstradohet në Norvegji dhe nëse ka drejtësi në Kosovë, ai nuk do të ekstradohet në Norvegji, sepse, Kosova dhe Norvegjia nuk kanë marrëveshje për ekstradim!”, ka shkruar Kerveshi në Facebook.

Lexo po ashtu ​AKI ndihmoi në zbulimin e vendndodhjes së kosovarit të kërkuar për vrasjen në Norvegji

Avdyli u arrestua nga Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti (Fast Kosova), me mbështetje të Njësisë Speciale Operative. I njëjti ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021.

Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera, të cilat me gjasë janë të falsifikuara.

Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli nga Baerumi në Norvegji, që më herët ishin burgosur për terrorizëm, akuzohen për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20-vjeç, dy vite më parë në Norvegji.

Ata ishin në kërkim ndërkombëtar që nga tetori i vitit 2021. /Telegrafi/