Avokati i Justin Baldonit, Bryan Freedman, ka akuzuar Blake Lively-n për manipulim të sistemit ligjor, pasi ajo kërkoi të hidhej poshtë kundërpadia e ngritur nga Baldoni.
Ai e cilësoi këtë veprim si një abuzim të hapur të drejtësisë nga një “elitë e privilegjuar”.
Lively e akuzoi Baldonin për ngacmim seksual në dhjetor, ndërsa Baldoni u kundërpërgjigj me një padi prej 400 milionë dollarësh (rreth 368 milionë euro) për shpifje dhe zhvatje ndaj saj, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe publicistes Leslie Sloane.
Të dyja palët i kanë mohuar akuzat kundër njëra-tjetrës.
Ekipi ligjor i Lively argumenton se padia e Baldonit është një hakmarrje për denoncimin e saj dhe bie ndesh me ligjin e Kalifornisë që mbron viktimat e ngacmimit seksual.
Avokatët e Baldonit, nga ana tjetër, pretendojnë se Lively dhe Reynolds kanë përdorur ndikimin e tyre për të kontrolluar prodhimin e filmit “It Ends with Us”.
Gjykata po shqyrton kërkesën e Lively për të mbajtur konfidenciale disa prova, ndërsa Baldoni kërkon që ato të bëhen publike, duke pretenduar se aktorja i ka përdorur akuzat për përfitime mediatike.
Në mes të këtij konflikti, të dyja palët pretendojnë se kanë marrë kërcënime dhe abuzime në internet. /Telegrafi/