Site icon Telegrafi

Avokati i Jakup Krasniqit i thotë Gecit se po e përdorë gjykatën për deklarata politike

Në seancën gjyqësore kundër Jakup Krasniqit, avokati i tij, Aiden Ellis, ka akuzuar dëshmitarin Fadil Geci për përdorimin e gjykatës si platformë për të bërë deklarata politike.

Gjatë dëshmisë së tij, Geci përmendi ngjarje të rënda që kanë përfshirë kërcënime dhe vrasje të lidhura me përpjekjet për ta shuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Unë po ju them juve që po e përdorni këtë gjykatë për të bërë deklarata politike,” deklaroi avokati Ellis pas dëshmisë së Gecit.

Geci deklaroi se figura të njohura të LDK-së ishin shënjestruar për likuidim, duke përmendur vrasjen e Xhafer Behramit, drejtor i shkollës dhe kryetar i nëndegës, dhe kërcënimet ndaj Bahtir Kastratit dhe të tjerëve.

Ai po ashtu përmendi vrasjen e Ismet Rrahmanit, themelues i Akademisë së parë ushtarake në Aqarevë, si pjesë e një plani për të shuar LDK-në.

Sipas Gecit, lufta për pushtet e disa individëve, përfshirë edhe të akuzuarit, ka shkaktuar dëme të mëdha për Kosovën. “Me luftën për pushtet kanë gabuar dhe i kanë bërë dëm Kosovës,” tha ai.

Gjatë dëshmisë, Geci përmendi edhe Ramë Bujën, duke thënë se ai kishte qenë kryetar i degës së Lipjanit brenda LDK-së, por sipas tij, kishte ideologji marksiste-leniniste. “Një djalë i mirë, i mençur, por marksist-leninist,” tha Geci.

Deklaratat e tij u ndërprenë disa herë nga avokati Ellis, i cili e akuzoi për politizim të procesit gjyqësor, njofton Telegrafi.

Exit mobile version