Telegrafi

Avokati i Popullit: Të arrestuarit mbahen në kushte të papërshtatshme

Top Channel raportoi konkluzionet e Avokatit të Popullit, duke thënë se në drejtorinë e policisë, ku në momentin e monitorimit kanë qenë 18 të arrestuar, është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e policisë në momentin shoqërimit, madje dy prej tyre kanë pasur shenja të dukshme dhune në pjesë të ndryshme të trupit.

Të arrestuarit janë shprehur se janë detyruar me dhunë të firmosnin procesverbalet e arrestimit të tyre, thotë Avokati i Popullit ndërkohë që ka konstatuar se të arrestuarit qëndrojnë në kushte të papërshtatshme. Në një dhomë 3 metër katror qëndrojnë 7 persona, nuk kanë mbulesa dhe kushtet higjieno-sanitare lënë për të dëshiruar.

Në komisariatin numër 3 të drejtorisë së policisë ndodheshin 19 persona të arrestuar, 4 prej të cilëve të mitur. Gjatë procesit të marrjes në pyetje të miturit nuk kanë pasur të pranishëm psikologun, ndërkohë që 6 prej të arrestuarve kanë deklaruar se nuk janë lejuar të njoftojnë familjen për vendndodhjen.

Të gjitha shkeljet e konstatuara gjatë monitorimit i janë vënë në dijeni ministrit të Drejtësisë, ministrit të Brendshëm si dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe atij të burgjeve. /Telegrafi/