Telegrafi

Avokati i Haradinajt: Prokuroria s’është në gjendje të vërtetojë akuzat

Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është në gjendje të vërtetojë asnjë nga pikat e akuzave me të cilat ngarkohet ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Cadman është duke e paraqitur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka thënë se e tërë çështja e ZPS-së është e mangët dhe e tillë duhet të hidhet poshtë.

Avokati i Haradinajt ka thënë se ka mungesë të plotë provash për të vërtetuar pretendimet kundër të mbrojturit të tij.

“Nëse dikush meriton drejtësi, dhe të gjithë meritojnë drejtësi, prokuroria e ka pranuar përmes zonjës Pumper, duhet pranuar që nuk janë ndjekur penalisht këtu kryesit serbë. Kjo do të thotë që nuk ka hetime në vazhdim për masakrat e shumta të kryera nga serbët në Kosovës, forcat ushtarake dhe paramilitare dhe disa prej tyre janë edhe në njoftimet e Interpolit. Disa prej tyre janë madje krenarë që janë shtytës të këtij procesi këtu”, ka thënë Cadman.

Ai ka pasur kritika për ZPS-së edhe lidhur me nxjerrjen e dokumenteve për çka ka theksuar se ai dhe Haradinaj nuk i kanë pasur dokumentet e duhura dhe si pasojë e kësaj nuk e kanë pasur mundësinë e duhur për t’i bërë kundër pyetjet.

Sipas tij mungesa e dhënies së dokumenteve përbën pengesë për një gjykim të drejtë. Cadman ka kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës.

“Nuk ka pasur kanosje apo pengim, apo ndërhyrje, nuk ka pasur as hakmarrje. Nuk duhet harruar që në asnjë fazë prokuroria nuk ka identifikuar asnjë dëshmitar, i cili do të ishte frikësuar apo kërcënuar si rezultat i veprimeve të zotit Haradinajt, apo bashkakuzuarit Gucati, ZPS nuk ka identifikuar se kundër kujt janë hakmarrë dhe akuzat i ka bërë në terme të përgjithshme. Shkurtimisht, ne i përmbahemi qëndrimit që ZPS nuk është në gjendje të provojë asnjërën nga pikat e aktakuzës”, ka thënë avokati i Haradinajt.

Ai ka thënë se të gjitha veprimet e Nasim Haradinajt lidhur me dosjet e arritura në OVL-UÇK ishin bërë me qëllim të interesit publik.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë që vërteton se dokumentet ishin të fshehta, se ishin sekrete… E tërë çështja e ZPS-së është kaq e mangët sa që duhet të hidhet poshtë”, ka thënë Cadman.

Avokati i Haradinajt, i cili ka mbështetur në tërësi parashtrimet paraprake të avokatit të Hysni Gucatit, ka thënë se ZPS-ja ka refuzuar të nxjerrë detajet e hetimit të vet që lidhen me rrjedhjen e informacionit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga persona ende të panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./kp/