Avokati Faton Fetahu ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, nen ky i cili parashihte faljen e 100 eurove për të gjithë tatimpaguesit.
Fetahu përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “mashtrimi nuk kalon”.
“Ashtu edhe siç pritej, sot Gjykata Kushtetuese kumtoi vendimin e saj për miratimin e kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dispozitës ligjore lidhur me faljen e tatimit në pronë, e cila brenda vetes fshihte mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimin ua la në barrë komunave. Prandaj, jam i gëzuar që si Përfaqësues i Autorizuar i Komunës së Prizrenit, hartova dhe ndërtova rastin pranë kësaj gjykate si dhe kërkesën për masë të përkohshme që sot u miratua”, ka shkruar Fetahu.
Ai ka shtuar se “ky mashtrim, as nuk mund të fshehët e as nuk mund faturohet komunave”.
Postimi i plotë:
Mashtrimi nuk kalon!
Ashtu edhe siç pritej, sot Gjykata Kushtetuese kumtoi vendimin e saj për miratimin e kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dispozitës ligjore lidhur me faljen e tatimit në pronë, e cila brenda vetes fshihte mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimin ua la në barrë komunave.
Prandaj, jam i gëzuar që si Përfaqësues i Autorizuar i Komunës së Prizrenit, hartova dhe ndërtova rastin pranë kësaj gjykate si dhe kërkesën për masë të përkohshme që sot u miratua.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, paraqet rastin e parë që një komunë, sipas autorizimit kushtetues, ngre një rast në Gjykatën Kushtetetuese sepse është hera e parë që pushteti qendror cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e të gjitha komunave të Kosovës. Ky ligj, si ti tillë, nuk e kalon dot testin e kushtetutshmërisë.
Ballafaqimi i kësaj qeverie dhe shumice parlamentare me qytetarët për rritjen e tatimit në pronë si rezultat i vlerësimit të ri të pronave – i realizuar Minsitria e Financave (2022), është i domosdoshëm. Ky mashtrim, as nuk mund të fshehet e as nuk mund faturohet komunave.
Qytetarëve, tatimin në pronë ua ka ngrit qeveria dhe komunat në këtë pikë nuk e kanë asnjë përgjegjësi. E vërteta do të dalë në fund. Dhe për këtë do të angazhohem fuqishëm deri në fund të procesit. /Telegrafi/