Besnik Berisha, avokat i ministrit Besim Beqaj, e ka quajtur skandal rastin e klientit të tij.
Avokati Besnik Berisha ka thënë se faji për vonesën e trajtimit të lëndëve është te ata që ndajnë buxhetin dhe ata që udhëheqin me Këshillin Prokurorial.
Ai në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se është e pa arsyeshme për ata që mbarojnë arsimimin për juridik me nota të shkëlqyera të cungohen edhe një vit për t’u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë .
“Vetëm viteve të fundit janë duke u pranuar deri në 50 gjyqtarë. Ata që e kanë hartuar ligjin që thotë se duhet pranuar një juristë të shkëlqyer dhe me përvojë deri katër vjeçare të futet edhe një vit edhe të cungohet për t’i ndihmojë sistemit të drejtësisë”.
“Ata 19 mijë persona që presin gjykim nuk mund të i quaj kriminelë, sepse atyre shteti nuk po ua mundëson të dalin të provojnë vetveten”, deklaroi ai përcjell Telegrafi.
Berisha i cili është edhe avokat i ministrit Besim Beqaj, ka thënë se prokuroria dështoi në rastin e klientit të tij, për privatizimin e KEDS.
“Edhe njëmijë vjet nëse zgjat ai hetim, asnjëherë nuk do të sigurojë më shumë prova se dy vjet që e kanë mbajtur Beqajn në “hetim preliminar”. Por meqë prokurori shkon në pension, e prokuroria duhet me la fytyrën disi, ka marrë një aktvendim për fillimin e hetimeve tash me i riciklua mbeturinat e mbledhura për dy vjet, me shpresë se vjen një aktakuzë që zgjohet në gjykatë herën tjetër”, shprehet avokati Berisha.
“Rasti i z.Beqaj është një skandal në vete, dhe mendoj se nuk është i panjohur te ne për profile të tilla”, tha ndër të tjera Besnik Berisha./Telegrafi/