Avokati Elenko Millanov, i cili i përfaqëson Ejup Alimin dhe Ismet Gurin të akuzuar në rastin “Titanik 3”, ka kërkuar që të zëvendësohen prokurorja Katica Janeva, si dhe Gavrill Bubevski dhe Fatime Fetai, të cilët e përfaqësojnë aktakuzën në këtë lëndë.
Millanov tha se Bubevski dhe Fetai duhet të ndryshohen, për shkak se janë konfrontuar me Katica Janevën, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai tha se për këtë duhet të jep mendim Këshilli i Prokurorëve Publik dhe të vendosë Kuvendi, për shkak të rregullave të Ligjit për PSP-në.
Gjykatësja Marija Klletniçka i tha ta sqarojë kërkesën për zëvendësim dhe i përmendi arsyet për të cilat kërkohet zëvendësim.
Ndryshe, në rastin “Titanik 3” të akuzuar janë deputeti i BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri, të cilët dyshohet se si anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar materialin zgjedhor dhe kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve./Telegrafi/