Telegrafi

Avokati 41-vjeç nga Londra padit prindërit, gjithçka ndodhi pasi ata nuk e përkrahën më financiarisht

Një avokat nga Londra që i ka 41 vjet, së fundmi ka paditur prindërit e tij të pasur që kanë refuzuar t’i ofrojnë ndihmë financiare.

Avokati emri i të cilit nuk është zbuluar për opinionin, ishte ankuar se prindërit e kishin përkrahur financiarisht plotë 20 vite, që më pas të ndërpresin këtë përkrahje kur edhe raportet e tyre u ftohën, transmeton Telegrafi.

Ai ka kërkuar nga gjyqtari që të detyrojë prindërit e tij ta vazhdojnë përkrahjen edhe për kompaninë e tij të avokaturës.

Interesant është se avokati 41-vjeç, pretendon se ka mbetur pa punë edhe pse ka kompani të vetën, duke theksuar se jeton pa pagesë në një apartament të prindërve në pjesën qendrore të Londrës.

“Prindërit e kanë përkrahur financiarisht, kurse e kanë lejuar të jetoj në apartamentin e tyre në qendër të Londrës. Përveç kësaj, ata i kanë paguar edhe shpenzimet e tjera të tij”, ka deklaruar gjykatësi James Manbi.

Ai shtoi se raportet mes të birit dhe prindërve muajve të fundit janë zbehur, dhe pikërisht për këtë babai i tij vendos ta ndalë financimin.

“Ai padinë e tij e ka arsyetuar me atë se nuk është ende i gatshëm të pavarësohet, dhe është thirrur në ligjet në fuqi që rregullojnë raportet familjes mes prindërve dhe fëmijëve”, ka përfunduar gjykatësi Manbi.

Prindërit e tij që aktualisht jetojnë në Dubai, kanë refuzuar të ballafaqohen me të në sallën e gjyqit, gjë që pikërisht këtë e kishte kërkuar avokati – pasi që në këtë rast shpreson shumë se do të dalë fitimtar.

Është interesant se kjo nuk është hera e parë që persona të rritur paditin prindëri,t me shpresën se do t’i detyrojnë që akoma t’i përkrahin financiarisht. /Telegrafi/