Një 16 vjeçar nga Peja ka përfunduar në masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi i njëjti dyshohet se ishte duke planifikuar vrasjen e disa nxënësve në shkollën e tij.
Caktimi i masës së paraburgimit u bë ditën e diel nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por kundër këtij vendimi ka parashtruar ankesë avokati i të miturit, Gëzim Kollçaku.
Kështu ka konfirmuar Kollçaku gjatë një prononcimi për Telegrafin.
“Po ditën e hënë kam parashtruar ankesë. Ajo çfarë është më e rëndësishmja se Prokuroria dhe Policia nuk kanë gjetur asnjë armë”, tha ai.
Avokati Kollçaku po ashtu ka deklaruar se klienti i tij nuk ka pasur konflikte me askënd.
Ndryshe, Prokuroria Speciale, ka njoftuar se i dyshuari B.M për disa muaj kishte bërë plane për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj nxënësve të një shkolle në Pejë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Prokuroria Speciale shton se me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së
Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Telegrafi/