Telegrafi

Avokatët pezullojnë përkohësisht bojkotin

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, sot mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, ashtu që në mënyrë unanime, vendosi që të pezullohet përkohësisht vendimi i KD-së OAK për bojkot.

“Kjo pasi që KGJK ka shfuqizuar rekomandimin e datës 28.12.2018 dhe Urdhëresave të tjera në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ky pezullim do të zgjasë për periudhën kohore prej 30 ditësh brenda të cilës periudhë kohore OAK dhe KGJK do të arrijnë marrëveshje lidhur me kërkesat që do të dakordohen bashkërisht. Ky vendim hyn në fuqi më datë 11.01.2019 ora 17:00”, thuhet në njoftim.

Në një komunikatë për medie, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot shprehi keqardhjen që Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), nuk e ka kuptuar drejtë Vendimin e KGJK-së NR. 001/2019, të datës 10 janar 2019 dhe si rezultat ka vazhduar bojkotin.

Me këtë rast, KGJK informoi opinionin dhe OAK-në, se KGJK me Vendimin NR. 001/2019, ka vendosur që të hartojë Rregulla të Reja për Rendin Shtëpiak në Sistemin Gjyqësor të Republikës së Kosovës, e që nënkupton se deri në nxjerrjen e tyre, do te zbatohen rregullat e para datës 28 dhjetor 2018.