Site icon Telegrafi

Avokatët: I papranueshëm cilësimi i ish-krerëve të UÇK-së si “bandë kriminale” nga ZPS

Hedhja poshtë e kërkesës së ish-presidentit Hashim Thaçi për lirim me kusht nga paraburgimi nga Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë po kritikohet nga njohësit e çështjeve juridike.

Mbrojtja e Thaçit ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për përdorimin e termit “Organizatë e Përbashkët Kriminale”, duke cilësuar si të pasaktë.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përfilli kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Por, ajo çfarë ka rënë në sy është justifikimi i kërkesës nga ana Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku e thekson rrezikun e ndikimit në dëshmitarë ndërsa ish krerët e UÇK-së i cilëson si “bandë kriminale”.

Një gjë të tillë po e cilëson si të papranueshme avokati i Hashim Thacit, Gregory Kehoe, i cili ka  thënë se një term i tillë nuk guxon të përdoret.

“Në mënyrë alarmante, në justifikimin e arsyeshmërisë së 22 muajve të paraburgimit të pandërprerë, ZPS-ja i referohet ‘rasteve që përfshijnë veprimtari kriminale të organizuar’ duke cituar tri raste të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut që kanë të bëjnë me persona të dyshuar si pjesëmarrës në bandat dhe grupet e organizuara kriminale. Çdo sugjerim që ky rast përfshin krimin e organizuar, ose tërhiqet paralele me rastin që përfshijnë bandat kriminale, është ai pasaktë dhe duhet të shpërfillet”, ka thënë  avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.


Deklarata e avokatit të Hashim Thaçit, Gregory Keho

Reagime pati edhe nga avokatët kosovar të akredituar nga Gjykata Speciale.

Avokati Taulant Hodaj thotë se prokuroria po vije në konstatime ende pa nisur gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së.


Taulant Hodaj, avokat

“Përdorimi i një termi të tillë nuk është një risi nga ana e Prokurorisë, sepse ata e kanë ngritur aktakuzën duke u bazuar në këtë forme të kryerjes së veprës penale. Ndërmarrje e përbashkët kriminale është një formë që ata pretendojnë se është kryer vepra penale për të cilën janë akuzuar. Mirëpo, prokuroria duhet të theksojë se dyshohej për këtë vepër penale e jo të konstatojë për kryerjen e veprës”, ka theksuar Hodaj.

Ndërkohë, më i ashpër është avokati Naim Rudari.

Ai thotë se lirimi i tyre me kusht nuk paraqet ndonjë rrezik potencial për pengim të këtij procesi dhe se me përdorimin e termit “Organizatë e Përbashkët Kriminale” tentohet të njolloset lufta e UÇK-së.


Naim Rudari, avokat

“Ndërkohë, deri më tani të gjitha kërkesat e ish liderëve të UÇK-së për mbrojtje në liri deri me tani janë refuzuar, ndërsa ka 22  muaj që po mbahen në paraburgim, nën akuzën për krime lufte”, është shprehur Rudari. /Dukagjini/

Exit mobile version