Site icon Telegrafi

Avokatët frikacakë?!

A janë avokatët tanë "të fortë", apo frikacakë ? Unë them se janë frikacakë. Frika e tyre shprehet në procesin hetimor, "aferën Bllaca". Askush nuk pranon ta mbrojë të vetëshpallurin vrasës, Nazim Bllacën. Frikësohen ta bëjnë këtë, tremben se mos do t’i gjejë ndonjë e papritur, apo kanë aversion ndaj "njeriut të SHIK-ut".

Vazhdon heshtja, bojkoti, "rebelimi", e që kështu s’duhet të jetë. Mbrojtja e Bllacës është e detyruar, ngase kjo parashihet në nenin 73 të Kodit të procedurës penale të Kosovës, i cili hyri në fuqi më 6 prill 2004. Mbrojtja ex officio caktohet për "veprat penale të dënueshme me të paktën tetë vjet burg" (neni 74).

Natyrisht, mbrojtës duhet të angazhojnë edhe familjet e dëmtuara, të mos ia lënë çështjen "në dorë" vetëm prokurorit.
Llafazanët mbajnë leksione, shesin mend e patriotizëm. Ndërkaq, kur e kërkon puna, ata që s’duhet të heshtin – heshtin. Pse?

Nuk ka asgjë më të tmerrshme se sa një sërë krimesh, vrasje, me prapavijë politike, tash e dhjetë vjet të ngelin enigmatike, "akte të përsosura", siç thuhet në zhargonin e kriminalistikës. Ku po mbetet drejtësia?!
Ka të tillë, të cytur nga paragjykimet, të thonë: "Unë s’e mbroj kriminelin, i cili mund të jetë i lidhur me Serbinë".

Andaj, kujtoj që avokatët tanë s’ bën të heshtin, së paku të pranojnë, të angazhohen si mbrojtës ex officio. Të mbrosh Bllacën nuk do të thotë se identifikohesh me të. Avokatët e guximshëm, tregohen në vepër, jo në kafene, atje ku pihet rakia, ku "shitet patriotizmi".

Zotërinj avokatë, mbrojtës kanë pasur edhe të akuzuarit për krime të luftës, siç ka qenë kroati dr. Andrija Artukoviqi, i ekstraduar nga SHBA, pastaj i dënuar me vdekje gjatë 1986-ës. Mbrojtësit e kreut të ustashëve, Artukoviqit, kanë qenë Sërxha Popoviq, Silvije Degen dhe Zhelko Olujiq. Kryetari i trupit gjykues i Gjyqit të Qarkut në Zagreb, Milko Gojski i kishte paraparë si rezervë edhe mbrojtësit ex officio, nëse mbrojtësit e angazhuar heqin dorë… Mirëpo, Artukoviqi, i lindur në vitin 1899, nuk e priti ekzekutimin e aktgjyimit, vdes gjatë vitit 1988.

Tre të akuzuarit për krime të luftës… Sllobodan Millosheviqi, Vojisllav Shesheli dhe Radovan Karaxhiqi, në Tribunalin e Hagës, nuk pranuan as mbrojtës ex officio. Shesheli, siç dihet, ka shprehur arrogancën e tij, në një seancë dëgjimore ish-kryeprokuroren Carla del Ponte e ka quajtur kurvë – "drola".

Mbrojtësit në procedurën penale s’janë dekor, ata janë "kirurgë" njësoj si gjykatësit dhe prokurorët. Kontributi i tyre në ndriçimin e "pikave të zeza" është i madh. Në historinë e proceseve është i njohur avokati i Alfred Drajfusit, mbrojtësi legjendar Fernand Labori. Mbrojtësi Labori, para një shekulli, mbrojti edhe ata që ishin të akuzuar për vrasje të paskrupullta.

Mbrojtësit, e mirëfilltë, nuk identifikohen me klientin , e kryejnë punën, i përmbahen etikës së tyre.

Rasti penal i Bllacës "dridhi" Kosovën. Kureshtarët flasin, shprehin opinionet e tyre në oda burrash, restorante, por edhe në zyra, atje ku bëhet "politika e lartë". Një kategori e njerëzve arsyetojnë veprimin që i vihet në barrë të pandehurit, të tjerët mendojnë ndryshe, shprehin dhembshuri për vrasjet enigmatike, dakordohen me veprimin e zyrtarëve të EULEX-it.

Procesi hetimor në fillim kishte rrjedhë normale, pastaj paraqiten barierat, "cungat" në procedurë. Gjatë seancës dëgjimore, më 30 nëntor 2009, të pandehurin e shoqëron mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare, Haxhi Millaku, i cili për arsyet që ai i di, tërhiqet nga mbrojtja. Bllaca, i ngujuar në shtëpinë e vëllezërve të tij, në Ribar të Madh të Lipjanit, ngeli vetë, pa mbrojtës. Kjo çështje bëri që të pasojnë reagimet.

Familja e tij ka bërë përpjekje të angazhoj Nekibe Kelmendin, e cila me profesion është avokate, por që e ka postin e ministres së drejtësisë, dështoi kjo përpjekje për shkak të "konfliktit të interesit". Po kështu, është dëgjuar se familja e të pandehurit do të angazhoj avokat ndërkombëtar.

Pas luftës e këndej, nuk ka qenë praktikë në gjyqet tona që të mbrojnë avokatët e huaj. Dy prej tyre, francezë – Frederic Brasac dhe Nicolas Bedfel, kanë qenë të angazhuar në procesin gjyqësor të "Grupit të Dukagjinit", i mbajtur në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, në nëntor të 2002-ës.

Bllacën e "kapën" paragrafët e tri ligjeve penale, dy ligjeve ‘ të moçme ‘, të nxjerra para lufte, ai i Kosovës dhe Federatës jugosllave, dhe Kodit penal të Kosovës që është në fuqi.
Politika assesi s’ bën të përzihet në drejtësi. Kështu janë shprehur në një konferencë për gazetarë shefi i misionit të EULEX-t, Yves de Kermabon si dhe krerët e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu e kryeministri Hashim Thaçi. Sa do ta mbajnë fjalën, kjo pritet të shihet.

I pandehuri dyshohet të ketë kryer një vrasje dhe i përfshirë në 17 akte të tjera, vrasje, vrasje në tentativë, shantazhe dhe rrahje. Megjithëkëtë, ai mbahet i ngujuar në shtëpi, jo në birucë ! Përse ndodhë ky "tretman" më së miri e di gjykatësi i procedurës paraprake, i EULEX-it, Francesko Flori.

Fenomeni i "rebelimit" të avokatëve, në Kososvë, është shprehur para dy vjetësh në procesin e të akuzuarit të OKB-së, liderit të Vetëvendosjes ! Albin Kurtit, i akuzuar se shkeli "vijën e kuqe", më 10 shkurt 2007. Atë ditë policia e UNMIK-ut i ekzekutoi protestuesit Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, ndërsa më tepër se 80 të tjerëve u shkaktoi plagë trupore… Albini u pat bërë apel avokatëve të Kosovës të mos e mbrojnë, të mos duken në sallën e gjykimit. Kryetari i trupit gjykues, italiani Maurizio Salustro i caktoi mbrojtësit ex officio. Albini gjatë shkurtit të 2008-ës u dha "kartonin e kuq" mbrojtësve Ahmet Hasollit, Fazli Balajt dhe Fetie Uka Islamit. E kurseu mbrojtësin Ferki Xhaferin. Gjykatësi Salustro për "mosdëgjueshmëri" i gjobiti me gjobë prej 250 euro mbrojtësit Ferki Xhaferin, Fetie Uka Islamin dhe kryetarin e atëhershëm të Odës së Avokatëve të Kosovës, Ramë Gashin, i cili nuk u paraqit në gjykatore.

Vrasja e Arbenit dhe Monit jehoi dhembshëm, emrat e tyre gjenden ne listat e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI) etj. Në kontekst të kësaj, avokati Tomë Gashi s’ndejti duarkryq. Ai në mars të 2007-ës paditi kryepolicin e UNMIK-ut, Stephen Curtisin. Për vrasje e vrasje në tentativë, pos Curtisit, avokati Gashi i denoncoi edhe komandantët e njësisë së kësaj policie, të njësisë së rumunëve, polakëve dhe ukrainasëve. Por sot e asaj dite kallëzimi penal mbeti "brenda grilave" ! Pse?! Zotërinjtë e EULEX-it duhet ta "shkundin" këtë lëndë, ngase, ndryshe, kësaj i thonë vrasje juridike.

Dallimi në dy proceset e përmendura është ky. Bllaca vullnetarisht u paraqit para zyrtarëve të EULEX-it, ndërsa Albini publikisht qe shprehur se nuk e njeh gjyqin e UNMIK-ut dhe i konsideroi të padëshiruar mbrojtësit.

Exit mobile version