Telegrafi

Avokatët e viktimave: Do rihapim “21 Janarin”

Avokatët e familjarëve të dy demonstruesve të vrarë më 21 janar 2011 do të depozitojnë në Gjykatën e Lartë kërkesën për rihapjen e hetimeve, sikurse është rënë dakord edhe në marrëveshjen e zgjidhjes me qeverinë shqiptare.

Për shkak se në Shqipëri nuk ka preçedencë se si do të zbatohet gjyqësisht ky verdikt i Strasburgut, mbrojtja do t’i bashkangjisë kërkesës edhe një vendim të një viti më parë të Gjykatës Europiane.

Është kazusi Joronoviç kundër Lituanisë, një shtetas i keqtrajtuar nga policia vendase që u ankua për mosshqyrtimin e duhur të çështjes dhe që në Gjykatën e Strasburgut u zgjidh sikurse edhe për “21 Janarin”, së pari me marrëveshjen për rihapjen e hetimeve.

Avokati Dorjan Matlia parashikon një rrugëtim të gjatë, pasi sikurse edhe në kazusin Joronoviç nuk përjashtohet mundësia që Gjykata e Lartë të refuzojë rigjykimin e “21 Janarit”.

“Duam ta rihapim si dosje. Vetëm me vendim të Gjykatës së Lartë për ta kthyer procesin në fazën e parë fare prokuroria mundet që të vazhdojë hetimin për ta zgjeruar me prova të reja dhe për të analizuar më mirë ato ekzistuese. Gjithashtu edhe për të pasur një hetim të zgjeruar për persona të tjerë që mund të mos jenë përfshirë në hetim që në momentin e parë”, deklaron avokati Matlia.

Por cila është strategjia e mbrojtjes në mënyrë që e drejta të jetë në krahun e 4 klientëve të tij, të cilët janë të afërm të demonstruesve të vrarë Ziver Veizi e Hekuran Deda.

“Termi juridik është “amicus curia”, një person që mund të futet si palë e interesuar. Ne do kërkojmë që qeveria të ndërhyjë si palë e tillë pasi ajo e ka marrë përsipër dhe Gjykata Europiane ka pranuar gjithashtu që kjo të jetë forma se si do të realizohet”, nënvizon Matlia.

Në Strasburg ndodhet edhe dosja e familjarëve të Faik Myrtajt, të cilët pretendojnë se hetimet e shtetit shqiptar për “21 Janarin” janë të paplota.