Telegrafi

Avokatët e Haradinajt kërkojnë largimin e dy gjyqtarëve të Speciales

Avokatët britanikë të nënkryetarit të OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, po kërkojnë përjashtimin e dy gjyqtarëve të lartë të Gjykatës Speciale nga postet e tyre për “abuzim të autoritetit” mbi ndjekjen penale të klientit të tyre. 

Bazuar në deklaratën e tyre, gjykimi i të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara është i njëanshëm.

Sipas së përditshmes britanike The Telegraph, avokatët që përfaqësojnë ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, pretendojnë se një prej gjyqtarëve i informoi diplomatët e BE-së për rastin e tij në një mënyrë që minoi pavarësinë e saj dhe vendimmarrjen e paanshme gjyqësore, përcjell Telegrafi.

Ata pretendojnë se gjyqtari i dytë ka komprometuar pavarësinë e tij duke ushtruar presion politik mbi gjyqtarët e tjerë dhe duke sugjeruar që Brukseli po i ushtron presion për dënime mbi krimet e dyshuara të luftës.

Avokati i tij, Toby Cadman, konfirmoi se ai po kërkonte përjashtimin e gjyqtares Ekterina Trendafilova, kryetare e gjykatës dhe gjyqtarit Charles L Smith, zëvëndëspresident.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer që është hedhur poshtë pa i marrë parasysh argumentet”, tha Cadman.

“E tëra që kërkojmë është që klienti ynë të marrë një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”, ka shtuar ai.

Dy krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt kohë më parë u është vazhduar masa e paraburgimit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë.

Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së Dhomave të Specializuara, duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitarë.

Pak muaj pas arrestimit ndaj tyre prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë, e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë këta persona ishin quajtur gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë nga dy krerët e OVL të UÇK-së.

Përpos kësaj pike të dy akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe Prokurorisë së Specializuar. Përveç shpërndarjes ata akuzohen se inkurajuan të tjerët të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj organizuan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik përmes thirrjes së konferencave për media./Telegrafi/