Telegrafi

Avokado ndihmon në rregullimin e kolesterinës

Një studim i ri i shkencëtarëve amerikanë, i publikuar në revistën American Heart Association, zbulon se konsumi i rregullt i avokados mund të ndihmojë në rregullimin e kolesterinës.

Në studim morën pjesë 45 persona obesë. Shkencëtarët i ndanë ata në grupe, ndërsa secili grup është dashur të konsumojë acide yndyrore të pangopura. Megjithatë, njëri grup përveç acideve yndyrore duhej të konsumonte avokado çdo ditë.

Të gjithë pjesëmarrësve niveli i kolesterinës të keq (LDL) u kishte rënë ndjeshëm, por më së shumti pjesëmarrësve të cilët kishin konsumuar avokado çdo ditë. Niveli i tyre i kolesterinës LDL kishte rënë për madje 13 njësi, që është rreth 8 njësi më shumë, krahasuar me pjesëmarrësit e tjerë.

Të gjitha burimet e acideve yndyrore të pangopura, duke përfshirë avokadon, përmbajnë yndyra të cilat e promovojnë shëndetin kardiovaskular. Megjithatë, studiuesit theksojnë se avokado kontribuon edhe më shumë për shëndetin sepse ndihmon në rregullimin e oreksit.

Një avokado e madhësisë së mesme përmban rreth 320 kalori dhe 30 gramë yndyrë, transmeton Koha.net. Një avokado në ditë mund të jetë e tepërt, që është arsyeja se pse është e rëndësishme të konsultoheni me ndonjë mjek ose nutrolog.

Avokado është vërtetë lehtë të përfshihet në dietën tuaj të përditshme, sepse ajo shkon me pothuajse të gjitha llojet e ushqimit, duke përfshirë peshkun, mishin, sallatën, qumështin dhe produktet e qumështit. /Telegrafi/