Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku ka vlerësuar se ka kohë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar një fushatë mjaft të ngjeshur për një marrëveshje finale me Serbinë në lidhje me problemet e mbetura të pazgjidhura pas shpalljes së pavarësisë.
Klinaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, “Futja në diskursin e tij e Kosovës Lindore është një hap i madh përpara. Por ai këtë e ka futur përmes ndarjeve, bashkimeve, korrigjimeve të kufijve etj.”.
Postimi i plotë i Klinakut në Facebook:
“Ku po gabon Hashim Thaçi?
Ka kohe që Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi ka filluar një fushatë mjaft ngjeshur për një marrëveshje finale me Serbinë në lidhje me problemet e mbetura të pazgjidhura pas shpalljes së pavarësisë. Dhe kjo është shumë më mirë sesa bisedimet e marrëveshjet e deritashme, të cilat janë zhvilluar vetëm për serbët në Kosovës. Futja në diskursin e tij e Kosovës Lindore është një hap i madh përpara. Por ai këtë e ka futur përmes ndarjeve, bashkimeve, korrigjimeve të kufijve etj., pra nëpërmjet territoreve, e jo ashtu siç duhet, siç do të ishte zgjidhja, dhe siç do të pranohej nga të gjithë: nëpermjet njerëzve dhe të drejtave e tyre. Parimi i reciprocitetit në të drejat në mes të banorëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, në njërën anë, dhe Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut, në anën tjetër, ja zgjidhja e krejt çështjes, kjo edhe nëse çon në ridefinim të kufijve për hir të zgjidhjes së problemeve dhe të drejtave të njerëzve, në të dyja anët”(sic.), ka shkruar Klinaku./Telegrafi/