Telegrafi

Avni Dehari: Vjedhja e mostrave është krim, prokurori nuk po ndërmerr asgjë

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, e ka kritikuar prokurorinë e shtetit se nuk po merr asnjë masë për ta zbardhur rastin e zhdukjes së mostrave të djalit të tij.

Ai tha se e ka përjetuar mjaft rëndë lajmin për zhdukjen e mostrave, teksa ka thënë se ky krim duhet të zbardhet sa më shpejt.

“Vjedhja është bërë në laborator, ky është rast i rëndë, është krim. Prokurori në vend që të marrë masa e të angazhohet më tepër, si çdo herë nuk ndërmerr asgjë”, ka thënë ai.

Avni Dehari, tha se lajmin për zhdukjen e mostrave e kanë mësuar nga mediat, teksa shtoi se kjo nuk është hera e parë që mostrat e djalit të tij zhduken apo dëmtohen.

“Lajmin e kemi marrë përmes mediave. MD-ja, ka dalë në media dhe përmes tyre e kemi marrë lajmin. Me mostrat është manipuluar që nga fillimi. Në ekspertizën e Zvicrës është bërë një varg vërejtjesh se provat janë dëmtuar. Për rastin e thonjve, zarfa është dërguar e zbrazët… Edhe kjo është zhdukje e mostrave. Tash është bërë zhdukje e mostrave, mendoj se kjo është bërë me qëllim nga të njëjtit njerëz që nga fillimi i kanë dëmtuar mostrat tash i kanë vjedhë. Prokurori duhet ta zbardhë këtë rast”, ka thënë ai.

Kritika ai ka pasur edhe për ish-prokurorin Sylë Hoxha, për të cilin tha se po tenton vazhdimisht ta manipulojë publikun.

Lexo po ashtu Humbja e mostrave të gjakut në IML, nëna e Astrit Deharit: Për mua ka qenë vdekje e dytë e djalit

“Ka pasur shumë manipulime për këtë rast, përpos ekspertëve ligjor të Kosovës, ka pasur edhe ekspertët me kërkesën tonë. Prokurori Sylë Hoxha, manipulon në TV dhe thotë që ekspertët e pavarur ligjor kanë qenë korrekt dhe na kanë përgëzuar për punën e mirë që kemi bërë. Por, asnjëherë nuk thotë që ata kanë sjellë një përfundim tjetër, nga këta të Kosovës”, ka thënë ai.

Babai i Astrit Dehari, tregoi që asnjëherë nuk është kontaktuar nga asnjë prokurorë për t’u pyetur apo informuar rreth rastit.

“Asnjëherë as prokurori i parë e i dytë nuk na kanë kontaktuar neve asnjëherë. E kuptoj që ata mund të komunikojnë me avokatin, por është e rëndësishme që edhe me prindërit e fëmijës të marrin mendim. Me kërkesën tonë kur kemi qenë me Afrim Gashin, aq ftohtë dhe me përbuzje na shikonte, pse dilnim në media. Nëse prokurori e kryen punën korrekt dal e them se jam i kënaqur në media”, ka thënë ai./RTV Dukagjini/