int(1) Aviokompanitë po mashtrojnë bashkatdhetarët - Telegrafi
Site icon Telegrafi

Aviokompanitë po mashtrojnë bashkatdhetarët

Policia e Kosovës gjatë dy operacioneve në dy rajone të ndryshme, ka arritur të arrestojë gjashtë perona. Rasti i parë ka të bëjë më mashtrimin që iu është bërë bashkatdhetarëve tanë nga disa avio-kompani, ku është arrestuar pronari i kompanisë mashtruese “AlbaAir”. Kurse, rasti tjetër ka të bëjë me organizimin e skemave të bixhozit të paligjshëm, ku janë arrestuar pesë persona.

Këtë e ka konfirmuar përmes një konference për media zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha se për këto raste ka edhe të arrestuar.

“Këto dy raste janë realizuar në dy rajone të ndryshme dhe kanë të bëjnë,rasti i parë dhe shumë i rëndësishëm për neve ka të bëjë me një rast të mashtrimit që është bërë nga disa avio-kompani, e që drejtoria kompetente ka treguar rezultate pozitive në këtë rast, ku ka zbuluar mashtrim. Dhe rasti i dytë ka të bëjë me organizmin e skemave piramidale dhe të bixhozit të paligjshëm dhe njëkohësisht të heqjes, apo dëmtimit të vulave zyrtare të vëna nga organet kompetente. Ky rast është realizuar kryesisht në rajonin e Ferizajt dhe ka rezultuar po ashtu me disa persona të arrestua”, tha Kelani.

Në rastin e parë, Policia e Kosovës, ka arrestuar pronarin e njërës nga kompanitë mashtruese, që dyshohet se për një kohë kanë mashtruar bashkatdhetarët me qëndrim në Zvicër dhe Gjermani.

Këtë e konfirmoi edhe Drejtori për Hetime Ekonomike dhe Korrupsion, Majori Shaip Havolli, i cili ta se mashtrimet janë bërë përmes të ashtuquajturës “Call-Centër” thirrje me mesazh, me ç’rast bashkatdhetarët i kanë joshur me çmime të lira për fluturime në Kosovë dhe kthimin përsëri në vendet e tyre.

“Drejtoria për hetime të krimeve ekonomike, pas hetimeve disa javore ka arrestuar një të dyshuar nën dyshimin se ka kryer vepër penale-mashtrim, nga neni 35. Ku viktimë të këtij mashtrimi janë bashkatdhetarët tanë me qëndrim në Zvicër dhe Gjermani. Mashtrimet janë kryer nga disa kompani turistike në Zvicër, Gjermani dhe Kosovë. Për këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet në Gjermani dhe Zvicër. Për veprimet hetimore të deritanishme, dua të theksoj se është ndaluar pronari i njërës prej kompanisë mashtruese “AlbaAid” me seli në Kosovë, kompani kjo e lidhur edhe me AlbaReisen në Zvicër”, tha Havolli.

Ky Call-Center, ka qenë në shërbim edhe të disa kompanive të tjera si “DardaniaAirways”, e cila, sipas Havollit, po ashtu ka mashtruar bashkatdhetarët tanë.

Me këtë rast, këto kompani mashtruese, fluturimet i kanë organizuar me numra të fluturimeve “Adria-Airways” dhe “German Wings”, duke shfrytëzuar kështu E-banking për pagesa.

Ndërsa, rastin e dytë, Havolli tha se Policia ka arrestuar 5 menaxher të disa lokaleve të lojërave të fatit në Ferizaj, pasi që disa nga pronarët e kanë shpërfill urdhrin e Policisë « së Kosovës, e cila ditë më parë ka mbyllur 12 lokale të tilla.

Me këtë rast, sipas tij, ata kanë tentuar të fillojnë përsëri këtë veprimtari në mënyrë të paligjshme.
“Drejtoria për hetime e krimeve ekonomike, njësia në Ferizaj, me 15 korrik, ka realizuar një operacion, me ç’rast janë kontrolluar 14 lokale të lojërave të fatit dhe 12 prej tyre janë mbyllur. Pas kësaj date ato kanë qenë në mbikëqyrje policore dhe të Administratës Tatimore dhe Doganës, ku disa prej pronarëve kanë filluar që të heqin bllobmat dhe të fillojnë përsëri këtë veprimtari në mënyrë të kundërligjshme, u shpreh ai.

Policia e Kosovës ka siguruar qytetarët se ndaj të gjithë këtyre mashtruesve do të merren masa rigoroze konform ligjeve në fuqi.

Gjithashtu, ata i kanë ftuar të gjithë të dëmtuarit që të paraqiten në Drejtorinë për Hetime të Krimeve Ekonomike në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version