I huazuari i Chelseat, Armando Broja, i ka dërguar në mënyrë indirekte Marina Granovskaia dhe Thomas Tuchel një mesazh për rikthim në Stamford Bridge, pas formës së tij të mirë në Southampton.
Sulmuesi 20-vjeçar i kishte dhënë sinjalet në sezonin e kaluar teksa luante për Vitesse se ishte një lojtar me potencial të madh.
Broja ia doli të evidentohej në elitën holandeze duke shënuar dhjetë gola dhe jo më kot Chelsea i rinovoi kontratën dhe ruajti pronësinë e talentit të kombëtares shqiptare.
Deri më tani është një test i kaluar për shqiptarin, megjithatë vetë Broja në një intervistë të fundit për The Daily Echo, thekson se ai e mban kokën ulur dhe se kërkon të përmirësohet çdo ditë, ndërsa shton se po e shijon shumë eksperiencën në Ligën Premier.
“Po e shijoj shumë eksperiencën e këtij sezoni dhe deri tani ka qenë një çmenduri. Unë jam një lojtar i ri dhe është e mrekullueshme të kesh një shans për të shkëlqyer në Ligën Premier, të kesh mundësinë të stërvitesh me lojtarë me eksperiencë dhe të bëhesh një futbollist më i mirë”, ka deklaruar ai.
“Është një ëndërr e bërë realitet, po mundohem të përmirësohem çdo ditë dhe të mësoj më shumë”.
“Në Ligën Premier ka gjithnjë shumë konkurrencë, është liga më e vështirë në botë. Edhe në organikën e skuadrës do të ketë gjithnjë konkurrencë, por nuk e kam problem”.
“Unë do ta mbaj gjithnjë kokën ulur dhe do të mundohem të ndihmoj sa më shumë ekipin. Jam i lumtur për golin ndaj Brighton, por më kryesorja është rezultati që merr ekipi. Ishte për të ardhur keq që nuk morëm tre pikët. Ishte zhgënjyese që pësuam atë gol në fundin e ndeshjes”, u shpreh mq tej Broja.
Te The Saint, reprezentuesi i Shqipërisë ka pesë gola, tre nga to vijnë në Ligën Premier. /Telegrafi/