Telegrafi

Avdyli thotë se ndoshta për disa në LDK tash Hashim Thaçi është bërë burrë i mirë

Foto: Arkiv

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli ka shpërndarë edhe një herë një shkrim të tij lidhur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Deputeti Avdyli në shkrimin e tij të bërë më herët në Facebook, ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka mbajtur larg pushtetit Hashim Thaçin, pasi që e ka njohur atë, transmeton Telegrafi.

Megjithëse, sipas deputetit, tashmë gjërat mund të kenë ndryshuar pasi që presidenti Thaçi për disa në LDK është bërë burrë i mirë.

“2018 e thënë po që vlen edhe më shumë në ditët e sotshme. Apo ndoshta tani Hashim Thaqi për disa në LDK është bërë burrë i mirë”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Më poshtë, gjeni reagimin e mëhershëm të deputetit Avdyli për presidentin Thaçi.

“A thua pse Presidenti Rugova mbante larg pushtetit Hashim Thaçin? A thua dinte ai diçka më shumë se të tjerët? Pse ai s’lejoi asnjë pozitë për të sa ishte gjallë? Sepse ai e njohu, por edhe mbrojti Kosovën nga plan prishësit e tij. E sot le ta dinë të gjithë, se LDK s’do lejohet asnjëherë më nga anëtarësia e saj, që dikush në emër të rugovizmit, e në emër të interesit të Kosovës, që me manipulime e shtrembërime të opinionit ta dërgojë edhe njëherë LDK-në në prehër të PDK-së. Ta bëjë patericë të saj që PDK ta ngrehë për hunde e ta poshtëroi sa herë të dojë LDK-në, edhe pse kishte kontratë me ne, sikur kur bëri me zanzibarin, sikur kur detyroi turpshëm ta largoi Presidentin Sejdiu, edhe së fundmi shkarkoi kryeministrin Mustafa në kulmin e suksesit të tij. Anëtarësia e LDK-së s’do lejoi që LDK të bëhet pjesë e pazarit të Hashim Thaçit me territore, edhe nëse na premton të të gjitha postet e pozitat e shtetit të na dhuroheshin.

Anëtarësia e LDK-së dhe qytetarët e pavarur të Kosovës duan ndryshim të thellë e jo marrje të ndonjë ashti nga dikush, në një sistem ku PDK kontrollon çdo gjë nga ndërmarrjet publike, drejtësinë, policinë, AKi, banka, spitale, universitete , dogana, ATK , agjencione etj. Po të ishte gjallë Presidenti do çuditej me ne sesi kemi lejuar Hashim Thaçin dhe PDK-në ta kapte kaq shumë shtetin dhe si po rrimë kaq komod si partia më e madhe në vend për ta ndalur këtë kapje. Do ishte fat ta kishim ndonjë parti në Kosovë si CDU që me të bënim koalicion e ta rrëzonim këtë sistem të kalbur të antivlerave të ngritura nga profiterët e luftës të veshur me petkun e politikanëve. Meqenëse se kemi një CDU a duhet të presim nën hije si opozitë apo të shkojmë në prehër të PDK- së për tu bërë lodër e saj? As votimi plebishitar i pasluftës për LDK nuk mundësoi qeverisje veç nga LDK ,por assesi Rugova s’bëri koalicion me PDK-në, e ne ku po duam të shkojmë? Pyetjet vazhdojnë … e përgjigjet kam frikë që po i di…por do i flas kur të vie koha”./Telegrafi/