Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli ka lavdëruar punën e profesionistëve shëndetësorë e institucioneve sa i përket pandemisë.
Avdyli në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë nëse bazohemi në numra në krahasim me vende shumë të zhvilluara si SHBA, Franca, Itali, Britania etj., Kosova e ka menaxhuar mirë situatën me pandeminë.
“Reagimi i shpejtë, karantinimi dhe masat e marrë nga institucioneve të sigurisë dhe atyre shëndetësore kanë qenë të duhura. Por merita më e madhe pos punëtorëve shëndetësorë u takon edhe qytetarëve të Kosovës që në këto ditë kanë arritur të ndalin daljen nga shtëpia”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Deputeti i LDK-së thotë se numri i vogël i testeve në Kosovë është bërë për shkak të numrit të vogël të të prekurve me COVID-19 dhe rrjedhimisht edhe të kontakteve të tyre.
Avdyli thotë se ka qenë kundër rrëzimit të qeverisë edhe për shkak të situatës pandemike në të cilën është gjendur Kosova.
“Në këtë pikë kemi rënë nga provimi”.
Ai ka përmendur edhe iniciativën e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani për të hartuar ligjin anti-COVID-19 por që sipas tij nuk gjeti mbështetje nga grupe parlamentare./Telegrafi/