Telegrafi

Avdyli: Kam dilema nëse PSD është e gatshme për rrëzimin e Qeverisë (Video)

Foto: Arkiv

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli thotë se LDK-ja e ka seriozisht rrëzimin e qeverisë, por ka dilema te partia tjetër opozitare.

Avdyli ka thënë opozita duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe shërbimi më i mirë i momentit është rrëzimi i Qeverisë.

Ai, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se për momentin janë të gatshëm, edhe me deputetë të tjerë të partive që janë në pozitë të rrëzojnë qeverinë.

“Na ka treguar historia se edhe në kohën e Presidentit Rugova, kur LDK kishte numrin maksimal të deputetëve, nuk arriti ta merr Qeverinë, sepse ‘Povrataku’ serb në atë kohë u ndikua nga Thaçi dhe nuk arritëm të marrim kryeministrin”, tha Avdyli, përcjell Telegrafi.

Deputeti i LDK-së ka thënë se janë të vetëdijshëm se për momentin nuk i kanë numrat, por janë në kërkim të deputetëve nga pozita për rrëzimin e qeverisë.

“Ideja është të marrim deputetë nga NISMA, por ekziston opsioni edhe te Lista Serbe”.

Ai ka thënë se LDK-ja e pranon si gabim që nuk ka mundur ta ndalë kapjen e shtetit nga PDK-ja në vitin 2007.

“LDK-ja nuk ka arritur të ndalë kapjen e shtetit dhe e pranojmë që ishte gabim i joni”.

Avdyli ka thënë se personalisht ka dilema nëse partia opozitare PSD e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë.

“Për LDK-në nuk kam dilema nëse ka dileme për rrëzimin e qeverisë. Duke i vëzhguar seancat e fundit nga shtatori, unë kam dilema nëse PSD-ja është e gatshme për rrëzimin e qeverisë”.

“Nëse PSD-ja merr pjesë në mënyrë kaq besnike në seancat e Kuvendit të Kosovës edhe kur mungojnë deputetët e PDK-së apo NISMA-s, unë e shtroj pyetjen: a jemi të gatshëm për rrëzimin e qeverisë?”, deklaroi Avdyli./Telegrafi/