Site icon Telegrafi

Avaz i vjetër i krimit shtetëror serb

– Pjesa e pare –

Ivica Daçiq, i rritur dhe i kalitur me politikën e përgjakshme të Millosheviqit, shumë shpejt do ta shfaqë oreksin e tij represiv, diskriminues dhe shovinist. I nxitur nga ky oreks, Ivica Daçiq bëri përgatitje shumë të gjata, jo vetëm për të akuzuar shqiptarët e Preshevës për krime lufte, por për t’u përpjekur që luftën e UÇK-së ta kriminalizojë, për të kriminalizuar pastaj edhe aleatët e NATO-së që bombarduan caqet ushtarake serbe.

Dinamika e zhvillimeve politike në Ballkan dhe më gjerë na ka bërë që të jemi më të përkushtuar në marrjen e informacioneve dhe njohurive të përgjithshme për tu njohur me ngjarjet aktuale, zhvillimet politike, ekonomike dhe kulturore të popujve në rajon dhe më gjerë. Luftëtari i lirisë, përpos gatishmërisë që kishte për tu ballafaquar me sfida të vështira në rrugën e tij çlirimtare, gjithsesi kishte gatishmëri dhe obligim për tu pajisur edhe me njohuritë mbi gjendjen dhe zhvillimet ekonomike politike dhe kulturore në përgjithësi të popujve në rajon dhe botë, sepse pjesë e saj është edhe vet luftëtari dhe populli i tij.

Kështu, shpeshherë antenat tona marrëse të informatave drejtoheshin në drejtim të Beogradit. Për asnjë qëllim tjetër, vetëm për tu informuar mbi zhvillimet në këtë shtet fqinj dhe për tu njohur mbi ndikimet e mundshme të tij në rajon. Për fat të keq, Beogradi vazhdoi me retorikën tani më të stërvjetëruar dhe banale, duke akuzuar të gjithë për rreth tij si armiq dhe duke e shpallur vetën viktimë. Vazhdoi së sajuari dhe forcuari mite e fakte të rreme, qoftë edhe për Kosovën si “djep i Serbisë”, qoftë me veprime brutale dhe politika destruktive duke e shpjerë kështu popullin serb në rrugë pakrye e me shumë halle. Të gjitha këto i bëjnë mbështetur në logjikën mesjetare të sunduesve serbë, të cilët, për të ruajtur postet e tyre vazhdojnë me avazin e vjetër të manipulimeve duke mos marrë parasysh qoftë edhe pasojat për vetë popullin serb.

Kjo rutinë e politikës beogradase tërësisht destruktive po ndërhynte edhe në punët e brendshme të Kosovës, gjoja për të mbrojtur interesat e pakicës serbe, e në fakt një politikë e tillë vetëm se ngatërronte dhe po vazhdon të ngatërrojë dhe vështirësojë jetën e serbëve në Kosovë. Beogradi dhe lakenjtë e tyre në Kosovë asnjëherë nuk kanë guxim ta thonë të vërtetën, e cila është shumë e hidhur, ngase është duke prekur dhe cenuar drejtpërsëdrejti interesat jetike të serbëve në Kosovë. Krimi serb (politik dhe ekonomik) i prodhuar në Beograd, së pari gjen mbështetje te serbët në Kosovë, i prekë dhe cenon së pari ata, pastaj shtrihet në fusha tjera etnike. Realisht, serbët e Kosovës kanë nevojë për mbështetje dhe mbrojtje institucionale sepse janë të rrezikuar nga strukturat paralele e kriminale serbe, dhe se institucionet kosovare dhe mekanizmat ndërkombëtarë duhet që në këtë drejtim të jenë më energjikë.

Pas rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti, që e bënë vetë serbët në vitin 2000, sikur shfaqet një shkëndijë shprese se më në fund në Serbi do të triumfojë demokracia. Por kjo shkëndijë shprese shpejt u shua dhe nuk pati jetë të gjatë. Gara politike në mes Tadiqit, politika e të cilit konsiderohej me orientim pro-evropian, dhe krahut tjetër me orientim pro-lindor, radikale, ultrashoviniste, socialiste dhe shesheliane, e shfaqur në zgjedhjet e fundit parlamentare serbe të 21 janarit 2008, po ashtu të jepte një përshtypje se ishte një luftë ku ndesheshin në dyluftim: perspektiva serbe dhe e kaluara e saj e errët mesjetare.

Mjerisht, kjo luftë nuk u zhvillua sa duhej, nuk avancoi pozitën serbe dhe nuk mori trajtën e duhur shoqërore. Elektorati serb me votën e tij qëlloi dhe goditi për vdekje frymën e re të politikës pro-evropiane. Vota e elektoratit serb solli në skenën politike njerëzit të cilët ishte dashur të dërgoheshin para drejtësisë dhe gjykatës. I gjendur para situatave të tilla, presidenti i Serbisë Tadiq mori një vendim që do të vuloste turpshëm të ardhmen e shtetit dhe popullit serb. Me vetëdije apo pa të, i detyruar apo me dëshirë, ai përsëri vuri në skenë figurën e Millosheviqit, por kësaj radhe përmes emisarit të tij Ivica Daçiq, i cili mori pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme.

Ivica Daçiq, i rritur dhe i kalitur me politikën e përgjakshme të Millosheviqit, shumë shpejt do ta shfaqë oreksin e tij represiv, diskriminues dhe shovinist. Shumë shpejt shqiptarët do të dëgjojnë avazin e vjetër të politikës serbe. Mbi të gjitha ai kishte një amanet për të kryer. Gjithsesi duhej shpjerë në vend qëndrimin dhe deklarimin e padronit të tij (Millosheviqit) për shqiptarët dhe “gjenin e tyre kriminal”, amanet ky i cili kishte ekzistuar historikisht në politikën serbe kundrejt shqiptarëve. I nxitur nga ky oreks, Ivica Daçiq bëri përgatitje shumë të gjata jo vetëm për të akuzuar shqiptarët e Preshevës për krime lufte, por për tu përpjekur që luftën e UÇK-së ta kriminalizojë, për të kriminalizuar pastaj edhe aleatët e NATO-së që bombarduan caqet ushtarake serbe.

Përfundimisht, Daçiqi po përpiqet që ndërhyrjet ushtarake serbe mbi popullatën e pafajshme dhe të paarmatosur shqiptare, krimet e kryera ndaj tyre, deportimet masive (milionëshe), masakrat, djegiet, plaçkitjet dhe shkatërrimet që i bëri aparati represiv serb në Kosovë ti paraqesë si ndërhyrje të domosdoshme serbe kundër UÇK-së “terroriste” dhe “kriminale”. Dhe jo vetëm kaq. Serbia kërkon sa më shumë fakte që të jetë sa më e përgatitur para GJND në luftë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Serbia, sipas të gjitha gjasave, përmes rrjetit të saj kriminal, kërcënoi fizikisht, ose shantazhoi Karla Del Ponten për të trilluar në librin e saj të famshëm bestseller “Gjuetia…” mbi shtëpinë e verdhë dhe trafikimi me organe njerëzore. Pas kësaj Serbia turret për të kapur “kriminelët e luftës” duke arrestuat të rinjtë preshevarë, pavarësisht se pjesa dërmuese e tyre as nuk e dinin se ç’është lufta.

Këto ishin momente që Qeveria Serbe përmes ultrashovinistit Daçiq konsideroi se janë jetike për të ardhmen e Serbisë. Duke bërë përpjekje të kriminalizojë UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare, ajo njëkohësisht do të gjykonte dhe dënonte edhe shtetet perëndimore që ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Kjo është përpjekje që paraprakisht, para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagës të marrë vendim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të paraqesë fakte, pavarësisht se ato janë të fabrikuara, për gjoja krimet e ish UÇK-së me qëllim të zhvlerësimit dhe delegjitimimit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe pastaj të anulohen njohjet e shteteve ndërkombëtare që ju bënë asaj.

– Pjesa e dytë –

Evropa nuk mund të fshehë faktin se në territorin e saj dikur ka operuar për mrekulli rrjeti i UDB-së jugosllave. Evropa nuk mund të fshehë faktin se në territorin e saj UDB-ja jugosllave (serbe) i ka vrarë patriotët shqiptarë të cilët e kundërshtonin regjimin antishqiptar të serbo-jugosllavëve. Po ashtu, mendoj, që Evropa e ka të qartë se ky rrjet tani më është “tkurrur”, vepron për Serbinë dhe kontrollohet nga ajo. Në fakt, ky rrjet përherë ka funksionuar për interesa shoviniste serbe. Ky rrjet din dhe ka guxim të kërcënojë edhe autoritete ndërkombëtare, këtë rast znj. Karla Del Ponte për ta detyruar në dhënien e deklaratave të pabaza në dëm të UÇK-së.

A është e kërcënuar apo shantazhuar Karla Del Ponte për të qenë në anën e Serbisë? Sigurisht që po, edhe pse ky është një mendim imi tërësisht personal, por bazuar në ecejaket e rrugëtimit të krimit serb, mendoj se kam të drejtë. Evropa tani më e ka të qartë se rrjeti i dikurshëm i UDB-së jugosllave ka funksionuar për mrekulli në territorin e saj (evropian). Vrasjet e patriotëve shqiptarë nëpër vendet evropiane, të cilët e kundërshtonin regjimin serbo-jugosllav, dikur paraqitej enigmatike por sot mund të zbulohen gradualisht. Tani më dihet dorasi që vrau patriotin Enver Hadri në Bruksel. Jo vetëm shqiptarët e kanë të qartë se krimi serb shtrihet edhe tek mantel-bardhët. Kujtoni mjekun serb që “mjekoi” atdhetarin Jusuf Gërvalla dhe plagët e tij! Paramendoni se si mund të jetë i organizuar dhe sa mund të jetë i rrezikshëm rrjeti kriminal shtetëror serb!

Po ashtu mendoj që Evropa e ka të qartë se ky rrjet është “tkurrur”, vepron për Serbinë dhe kontrollohet nga ajo. Në fakt, ky rrjet përherë ka funksionuar për interesa shoviniste serbe. Prandaj edhe kërcënimi eventual ndaj Karla Del Pontes nuk duhet ti befasojë politikanët evropianë. Si është e mundur që një personalitet si Karla Del Ponte të shkruaj një libër “Gjuetia…” kundër UÇK-së dhe të bëjë deklarime të tilla, të trilluara pa asnjë fakt dhe argument të vetëm?! Përndryshe, ku mbeti “shtëpia e verdhë”, ku mbeten faktet? Gjithçka është e trilluar për interesa serbe. Opinioni e ka të qartë se në qershor 2009 u arrestuan tre “personazhet” e “Gjuetisë…” në enklava serbe që ofronin mito, punë, shtëpi dhe siguri për ata që do të pranonin se u janë trafikuar organet. Ky nuk është krim individual as grup kriminal. Është krim i organizuar shtetëror. Avaz i vjetër i krimit. Dhe me faktin që Serbia asnjëherë nuk është distancuar dhe nuk i ka dënuar këto veprime kriminale, ajo e pranon pronësinë mbi të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen e krimit. Dhe ky organizim i krimit shtetëror domosdoshmërisht kalon përmes Ivica Daçiqit.

E kaluara kriminale dhe mos-distancimi nga ajo e shtetit serb, ta bënë të qartë se pavarësisht insistimeve dhe mbështetjes ndërkombëtare, Serbia nuk po mundet të dalë nga vorbulla e krimit, të organizuar nga shteti. Të kujtojmë se edhe sot në Serbi funksionojnë partitë politike që dikur kishin orkestruar ngjarjet më të përgjakshme në territorin e ish Jugosllavisë.
• Partia Socialiste Serbe, e udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, udhëhiqte shtetin, politikën, ushtrinë, nxiti luftërat dhe i udhëhoqi luftërat;
• Lëvizja Serbe e Ripërtëritjes (SPO), Vuk Drashkoviqi, krijoi Gardën Serbe prej 11 mijë vetave. Kjo Gardë u komandua nga Gjorgje Bozhiq – Gisha e më vonë nga Çeko Daçeviqi;
• Ripërtëritja Nacionale Serbe (SNO) e udhëhequr nga Mirko Joviqi, formoi po ashtu Gardën Nacionale Serbe prej 3 mijë vetave, të cilën e komandoi Dragosllav Bokani;
• Partia Radikale Serbe dhe Lëvizja Çetnike Serbe kishin organizuar 3 mijë vetë nën komandën e togerit Branisllav Vakiq. Në këtë kope çetnikësh ishte edhe i njohuri Kapiten Dragani me 500 njerëz të tij besnikë e kriminelë të dëshmuar. Po ashtu në këtë kope kriminelësh ishte edhe i famshmi Millan Martiq me 1000 vullnetarë nga Knini.
• Partia e Unitetit Serb kishte përgatitur gardën vullnetare me të cilën ka operuar Zheljko Razhnjatoviq – Arkan;

Kush mund të demantojë se në Kosovë nuk ka operuar ushtria e Sllobodan Millosheviqit, garda e Çeko Daçeviqit, garda e Dragosllav Bokanit, vullnetarët e Branisllav Vakiqit, kapiten Dragani, Millan Martiqi dhe Arkani?? Kush mund të demantojë se partitë që dikur formuan këto formacione kriminelësh nuk veprojnë sot në Serbi? Pra, këto parti janë aktive edhe sot duke mos dhënë fare llogari për veprimet kriminale të tyre. Komuniteti Ndërkombëtar ka falur krimin, ajo nuk dënoi gjeneruesin e tij. Politika e cila nxiti, organizoi dhe instaloi krimin në territoret e ish Jugosllavisë vazhdon së vepruari, koka e të cilit është në Beograd.
Vazhdon së vepruari. Sot në Kosovë, Serbia përmes grupeve të ndryshme terroriste është duke e sfiduar Komunitetin Ndërkombëtar dhe është duke e cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. Këto grupe terroriste dhe të orkestruara nga Beogradi, në planin afatgjatë, atakojnë drejtpërsëdrejti pakicën serbe në Kosovë. Opinioni publik i ka akoma ta freskëta paraqitjet publike të grupeve të tilla terroriste, siç janë:

Burimi Serb (“Srpski Izvor”);
Garda e Car Llazarit;
Rojet e Urës;
Këshilli Nacional Serb;
Ushtria Çlirimtare Serbe e Kosovës dhe Metohisë (SOA);
Garda Vullnetare serbe “Tigrat”;

…e sa e sa formacione tjera, të paraqitura publikisht, për të cilat Serbia ka njohuri, por për shpërndarjen, arrestimin dhe dënimin e tyre nuk ndërmerr asgjë. Përkundrazi, u ofron strehë dhe mbështetje të pa rezervë shtetërore. Në fakt, këto organizata janë të lidhura me MUP-in serb dhe prej tyre marrin instruksione.

A nuk është pjesë e orkestrës shtetërore serbe, djegia e pikave doganore, djegia e ndërtesave të ish UNMIK-ut, fushata politike për mospjesëmarrje në institucione, bojkotimi i punës nga zyrtarë dhe ish policë serbë. Bllokimi duke pamundësuar veprimin e gjykatës në Mitrovicë, pjesa veriore, bllokimi i funksionimit normal të pikave doganore 1 dhe 31, gjuajtja me gurë dhe armë zjarri në drejtim të Policëve Ndërkombëtarë, etj, etj. A nuk janë këto thirrje të drejtpërdrejta që gjenerohen ne Beograd e trumbetohen në Kosovës? Beogradi nuk është duke kursyer jetën dhe perspektivën e pakicës serbe në Kosovë. Gjoja i përkushtuar për të drejtat e tyre, Beogradi është duke sakrifikuar padrejtësisht serbët e Kosovës për politika të saja tani më utopiste.

Politika shtetërore serbe padyshim se ka ndikuar fuqishëm edhe në Kishën Ortodokse Serbe. Ky ndikim është aq i fuqishëm sa është vështirë të vlerësohet se cili e mbështetë tjetrin?! Si duket politika ka arritur të manipulojë me Kishën. Sidoqoftë, ajo që dihet publikisht është se Kisha Ortodokse hapur po e mbështetë politikën hegjemoniste dhe terrorin shtetëror serb. Shumë i frikshëm është deklarimi i u.d. të udhëheqësit të Kishës Ortodokse Serbe, mitropolitit Amfilohije Radoviç, i cili duke tymosur besimtarët bënë thirrje “serbët jetojnë në një padrejtësi, duhet edhe një luftë e re….”. Prandaj ky është edhe një argument që aktorët politikë dhe ekzekutivë në Beograd duhet vënë gishtin në kokë dhe të mendojnë mirë se ku i shpie ky veprim.

– Pjesa e tretë –

Ujku nga lart i thoshte qengjit atje poshtë lumit “mos ma turbullo ujin se të ha”. Ujin qengji nuk ia turbullonte sepse uji rridhte natyrshëm tatëpjetës, por ujkut i hahej mishi i qengjit. Nga pozitat e tij të larta dhe vendimmarrëse, Daçiqi po u thotë shqiptarëve atje poshtë në Luginë të Preshevës “mos ma destabilizoni Serbinë se ju burgos e ju dënoj”. Daçiqi e di fare mirë se shqiptarët nuk janë destabilizues, por është i etur për gjakun e tyre.

Për t’ia arritur qëllimit të tij, numri dy i qeverisë dhe numri një i policisë serbe inskenoi raste, trilloi dhe gënjeu opinionin, bëri deklarata shumë interesante dhe të bastarduara, ashtu edhe siç është vet, njeri bastard dhe i pa civilizuar. Daçiqi inskenoi një krim në Gjilan në një akuzë të çoroditur. Sipas Daçiqit, shqiptarët e Gjilanit nuk donin të prisheshin me fqinjët e tyre serbë, por donin ti vrisnin ata!? Daçiqi deklaron fëlliqur se shqiptarët e Preshevës dhe të Bujanocit e kryen krimin. Këto janë përralla të trishtueshme. Skenar horrorri, ashtu siç është edhe vet shpirti i Daçiqit. Ne nuk e kemi obligim që të rrëfehemi para organeve serbe të drejtësisë, por e themi bindur dhe me ndërgjegje para fëmijëve tanë dhe opinionit publik vendor e ndërkombëtar, se ushtarët e ish UÇK-së nuk kanë bërë krime, se në Gjilan nuk ka pasur krime mbi popullatën serbe.

Të rinjtë shqiptarë nga Presheva që ishin rreshtuar në radhët e UÇK-së ishin shumë të vetëdijshëm se pjesëtarët e familjeve të tyre ishin në Preshevë dhe se gjithnjë rrezikoheshin nga hakmarrja kriminale shtetërore serbe. Kjo ishte edhe një shkas që ata të ishin më shumë të kujdesshëm, jo vetëm për të mos rënë ndesh me etikën njerëzore dhe të drejtën ndërkombëtare mbi luftën, por që të mos zbuloheshin kështu që do ti mbronin familjet e tyre. Ky deklarim i këtij zv. kryeministri serb nuk mbështetet në fakte apo argumente, por në forcën e pushtetit. Prandaj ky deklarim i Daçiqit na kujton frazën popullore kur ujku nga lart i thotë qengjit atje poshtë lumit “mos ma turbullo ujin se të ha”. Daçiqi i etur dhe plot nostalgji për të kaluarën millosheviqiane nga lart, nga pozita e tij vendimmarrëse, po u thotë shqiptarëve atje poshtë në Luginë të Preshevës: “mos ma turbulloni ujin se ju ha”.

Daçiqi me arrestimet spektakolare, duke arrestuar djem, të cilët nuk kanë qenë as ushtarë, u dha një mesazh të qartë shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Do të ju arrestoj se ju jeni armiq të Serbisë”. Ky ishte mesazhi i Daçiqit. Pasi krijoi situata të palakmueshme dhe plot pasiguri, ai drejtpërsëdrejti nxiti shpërnguljen e shqiptarëve, madje akoma po e nxitë edhe atë duke u përcjellë mesazhe kërcënuese, “nëse ktheheni do të ju arrestoj”. Për ata që u shpërngulën shumë shpejtë u veshi tiketën e fajësisë. “Ikin ata që kanë bërë krime”.

Nuk mjaftoi me kaq. Më 09.07 2009, në afërsi të fshatit Lluçan ndodhi një incident. Në kushte dhe rrethana të paqarta nga një bombë dore plagosen dy pjesëtarë të xhandarmërisë serbe. Akoma pa u njohur mirë më incidentin, akoma pa identifikuar dorasit, akoma pa e thënë drejtësia fjalën e vet, Daçiqi dhe Beogradi zyrtar akuzuan shqiptarët. Pra shqiptarët janë fajtorët kujdestarë. Nuk është qëllimi i vetëm fajësimi i shqiptarëve. Qëllim parësor është frikësimi dhe shpërngulja e tyre.

Nuk kaloi shumë, më 14.07.2009 ndodhi edhe një incident tjetër. Në Preshevë shpërtheu një mjet eksplodues. U plagosën dy qytetarë. Përsëri avazi i vjetër. Filluan bastisjes, padyshim bastisje ne familjet shqiptare. Gjatë bastisjeve, patëm tortura fizike dhe psikike. Tani Serbia ka “gjetur” edhe armë e municion. Patjetër, duhet të justifikohet granata e hedhur mbi xhandarmërinë serbe. E ajo gjithsesi duhet të gjendet tek shqiptarët. Pallavra Daçiq, rrena, trillime.

Ti kthehemi edhe njëherë arrestimeve të fundvitit të kaluar.
Ata në mënyrë shumë perfide vendosën që aksionin ta kryenin në fundvit, sepse gjatë kësaj kohe janë festat fetare të komunitetit të krishterë. E kanë ditur se fundi i dhjetorit thuajse tërë administratën e ka në pushim. Burgosën të rinjtë shqiptarë dhe ndaj tyre ushtruan dhunë çnjerëzore, ashtu siç dinë vetëm ata ti mendojnë dhe ti praktikojnë. Shkatërruan shëndetin e tyre. Abuzuan edhe seksualisht, duke i ndalur në vende të caktuar jashtë vendeve urbane. Ushtruan dhunë e tmerr të paparë, tipik horrorri, sepse ashtu është shpirti i Daçiqit. Të gjitha këto i bënë me të vetmin qëllim, që të thyejnë qëndrimin e djemve të arrestuar, që pastaj edhe dhënia e deklaratave të tyre të ishte më e lehtë në ‘pranimin’ e krimin. Por u bindën edhe vet se kishin gabuar. Të rinjtë preshevarë, të arrestuar padrejtësisht, nuk pranuan gjë, sepse nuk kishin se çka të pranonin.

Me rastin e arrestimeve dhe veprimeve makabre që ka bërë Daçiq me xhandarmërinë dhe policinë serbe, unë dua ti sjell katër fakte që tregojnë se pse Daçiq dhe e tërë Serbia duhet të paditet në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Shkeljen e procedurave gjatë bastisjes dhe arrestimeve, bërë pa njoftuar organet komunale dhe pa praninë e tyre gjatë arrestimeve;
Ushtrimin e torturës ndaj familjeve gjatë arrestimit dhe në paraburgim duke shkelur Konventën Evropiane për Parandalimin e Torturës.
Shkeljen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të garantuara me Kartën e Helsinkit, ku Serbia ka ratifikuar si instrument juridik.
Shkeljen e Konventës Evropiane për të drejtat e pakicave

Opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar e di fare mirë, por Daçiqi duhet të pranojë edhe para opinionit serb se ka kërcënuar xhandarmërinë “ose gjeni armë gjatë bastisjes tek shqiptarët – ose shkoni në shtëpi”.
Opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar e di se në Gjilan nuk ka pasur krime e as shtab të UÇK-së që ka kryer krime. E di fare mirë edhe Daçiq, por këtë duhet t’ia tregojë edhe popullit serb.
Opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar e di dhe po e ndjenë fare mirë që Beogradi përmes horrave të tillë si Daçiqi e të tjerë, po aplikon politikë antishqiptare. Vetëm populli serb mendon ndryshe sepse tmerrësisht është i mashtruar nga politika shtetërore e shtetit të vet.

Daçiqi ka bërë krime dhe po vazhdon të bëjë, ka shkelur dhe po vazhdon të shkelë të drejtat më elementare dhe lirinë e njeriut. Kërkesa e subjekteve politike të Luginës së Preshevës për largimin e xhandarmërisë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, është kërkesë tërësisht e gabuar. Nga Lugina e Preshevës duhet të largohet përfundimisht politika e Beogradit, e cila vazhdimisht është diskriminuese, luftënxitëse dhe tërësisht antishqiptare.

Në fund po e përmbyll me një thënie të mikut tim, Shaqir Shaqiri, i cili e ndërtoi temën e diplomës në Akademinë Diplomatike Shqiptare në tezën; “Serbia asnjëherë nuk i ka llogaritur si qytetarë të barabartë, prandaj asnjëherë në historinë e tyre shqiptarët nuk e pranuan Serbinë për shtet të tyre”. Kështu do të mbetet përgjithmonë.

fund

Exit mobile version